Lajme
Pa konkurs të brendshëm, MPJD e bënë kandidatin e LDK-së udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa
Demokracia
14:25 | 05 Shkurt 2022

Share:

Pozitat kryesore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndonëse pa asnjë ditë përvojë në diplomaci, janë duke i marrë ish-punonjësit e Ministrisë së Diasporës. Pa konkurs të brendshëm, u.d. Sekretari i Përgjithshëm, Behar Isma, e ka bërë udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa, Mizbah Mustafën. Ky i fundit, në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2021 kishte garuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës për asamblenë komunale në Prishtinë, ndonëse i afërt është edhe me Listën Guxo.

Gjatë ditës së premte, Mizbah Mustafa, ish-punonjës i Ministrisë së Diasporës, ka marrë një detyrë të re. Ai tani do të shërbejë si udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Demokracia.com merr vesh se emërimi i tij është bërë pa konkurs të brendshëm, derisa vendimi nuk është i publikuar as në faqen zyrtare të MPJD-së.

Këtë vendim e ka marrë zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të këtij dikasteri, Behar Isma. Për këtë të fundit, Demokracia.com vetëm pak ditë më parë raportoi se është avancuar kundërligjshëm në pozitën e tij si u.d. Sekretar i Përgjithshëm i MPJD-së.

“Të nderuar/a,

Uroj që kjo e-mail të ju gjejë mirë. Ju njoftojmë se që nga sot, me vendim të zv. Sekretarit të Përgjithshëm, nr.prot.293/2022 të datës 04.02.2022 është caktuar Zyrtar Kryesor Financiar (ZKF), z. MIZBAH MUSTAFA – Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa. Kërkojmë nga çdo njësi, që gjatë hartimit të shkresave ku duhet të jetë prezent emri i ZKF-së, t’i bëni ndryshimet/përditësimet e duhura”, thuhet në një njoftim të shpërndarë brenda MPJD-së, të cilin e ka siguruar Demokracia.com.

 

Për këto avancime e emërime të punonjësve të ish-Ministrisë së Diasporës, Demokracia.com merr vesh se shtytëse kryesore është zëvendësministrja Liza Gashi së bashku me u.d. sekretarin Behar Isma.

Me lejen e Gërvallës, Gashi po kujdeset për emërimet, duke i larguar shumicën e punonjësve të MPJ-së nga pozitat e tyre dhe duke ndikuar që të zëvendësohen me personelin e ish-Ministrisë së Diasporës.

Gashi në të kaluarën ishte një nga përfitueset më të mëdha nga projektet për diasporën me organizatën që drejtonte.

Demokracia.com më 17 janar 2022 ka nisur kërkesë për qasje në dokumente zyrtare te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me projektet që i kishte përfituar Liza Gashi, aktualisht zëvendësministre, por të njëjtit nuk kanë kthyer fare përgjigje duke shkelur kështu nenin 7, pikën 8 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

“Institucioni publik obligohet që brenda shtatë (7) ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesërishëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për parashtrimin e një kërkese për rishqyrtim. Refuzimi i kërkesës bëhet me aktvendim me shkrim për refuzim të saj”, thuhet në këtë pikë të ligjit. /Demokracia.com/

Të ngjashme