Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të martën ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ka dështuar seanca e pesëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje edhe sot nuk arriti ta bëjë formën e fshehtë të votimit.
Partitë tjera politike janë deklaruar kundër dhe nuk kanë propozuar anëtarë për Komision.
Në sallë ishin të pranishëm, 115 deputetë. Për votuan 56 ndërsa një votoi kundër.
Seanca është shtyrë për të enjten, më 15 maj, Kandidatja e VV-së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Në të gjitha votimet deri më tani ajo nuk ka arritur të marrë më shumë se 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Ligjbërësit refuzuan për të shtatën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa për “interpretim të ndryshimit të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, e paraqitur nga deputetë nga radhët e AAK-së, u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në vazhdimin e seancës konstituive, më 13 maj, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të vendosë “një pezullim të përkohshëm, një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten e 15 majit, në orën 10:00.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Ndërkohë, Presidenca e Kosovës bëri të ditur më 12 maj se presidentja Vjosa Osmani do të nisë nga 15 maji konsultime me partitë politike, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.