Lajme
OVL-UÇK në Shtime: Nuk duhet të lejohet ndryshimi i historisë së UÇK-së
Demokracia
22:42 | 14 Janar 2023

Share:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Shtime ka kërkuar që të ruhet historia e UÇK-së në përkujtimin e të bëmave të Ushtrisë Çlirimtare në Zonën Operative të Nerodimes kur ndodhi Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999.

“Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar, në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë, janë plagosur ushtarë  të UÇK-së në këto beteja nga 15 janari deri më 20 janar 1999.  Më 19 janar, saktësisht në mbrojtje të kufomave të të masakruarve në Reçak, ka rënë dëshmor edhe Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku.  Po në këto luftime edhe zyrtarisht serrbia ka pranuar humbjet e veta në polic e oficer të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së në ‘Facebook’.

Ata kanë përkujtuar edhe angazhimin e ish-ambasadorit William Walker që t’i tregojë botës për Masakrën e Reçakut.

“Wiliam Walker i tha të vërtetën botës duke e dëshmuar me autoritetin, filmimet, fotografit dhe të gjitha provat mjeksore të marrura në vendin e ngjarjes me ndihmën e ekipit mjekësorë të ZON-ës, me të ndjerin Dr.Vezir Bajrami, ku i’u bë përshkrimi i të gjitha viktimave dhe dëmtimeve. Kjo ngjarje me përmasa të mëdha tash më të njohura botërisht e pengoi Serbin dhe Beogradin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së së Shtimes.

Reagimi i tyre vjen pas raportimit të Demokracia.com, se Zyra e Kryeministrit ia ka mohuar OVL-UÇK-së dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadani të mbajë fjalim në organizimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut.

Në fjalimin e tij, dorëzuar Zyrës së Kryeministrit, u përmendën ish-krerët e UÇK-së dhe mungesa e dënimit të serbëve që kryen masakrën në Reçak. Kështu bëri të ditur kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Muhamet Bilalli për mediumin.

“Në bisedim e sipër, na kemi kërku sqarim pse është largu, se na si Këshill Organizativ dhe si fshat e kemi dërguar këtë person [kryetarin e fshatit Reçak]. Ia ka lypë fjalimin Zyra e Kryeministrit, ky ia ka dërgu. Fjalimi u kanë i mirë, nuk ka pasur diçka. Nëse fjalimi ka diçka jashtë normales, le ta përmirësojmë atë dhe del në rregull. Në qoftë se ka nevojë, me heq diçka, me shtu diçka… Fjalimi ka qenë përshëndetje për krerët e shtetit, gjatë fjalimit për masakrën. Fjalimi ka përmbajt theks se asnjë nuk është i akuzuar e i dënuar për Masakrën e Reçakut, asnjë serb. Ndërsa, krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, deklaroi ai për Demokracia.com.

LEXO EDHE:

Mos e harro Reçakun | Zyra e Kurtit heq nga agjenda fjalimin e kryetarit të Reçakut, i përmendte edhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Sekretari i OVL-UÇK-së në Shtime, Ramiz Smajli, ka konfirmuar se Këshilli Organizativ pa pajtimin e tyre ka përzgjedhur vetëm kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe ish-ambasadorin William Walker për fjalë rasti.

Sekretari i OVL-UÇK-së në Shtime e ka parë këtë si një tendencë për përjashtimin e UÇK-së.

“Refuzimi i anës së tyne është se do të ndjeket protokolli, ka me folë presidentja, kryeministri dhe kryetari i komunës. UÇK nuk mbetet në protokoll zyrtar. Pra është një tendencë për me e shkëput UÇK-në dhe luftën e UÇK-së”, deklaroi ndër të tjera ai.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht afër 50 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, Reçaku ishte zgjuar i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 06:30, forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar ta bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe ishin futur në fshat dhe kishin filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore, duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar, pasi që kjo masakër shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës arriti në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës rezultoi me ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme