Lajme
Osmanin s’e shqetësojnë hallet e kosovarëve, që tri ditë asnjë fjalë për rritjen e çmimit të rrymës
Demokracia
11:08 | 20 Janar 2022

Share:

Nga muaji shkurt qytetarët e Kosovës do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike të shpenzuar, gjë e cila ka shkaktuar reagime të ashpra. Por reagimet e qytetarëve, siç duket nuk po i bëjnë përshtypje presidentes Vjosa Osmani, e cila deri më tash nuk e ka thënë asnjë fjalë për shqetësimet e kosovarëve.

Shumë kategori pritet që nga muaji shkurt të paguajnë dyfish më shtrenjtë energjinë elektrike, sesa që e kanë paguar deri tash, raporton Demokracia.com.

Rritja e energjisë elektrike ka shkaktuar shqetësim të qytetarët, por kjo siç duket nuk po ia tërheq vëmendjen presidentes Osmani.

Kryetarja e shtetit e as dikush nga kabineti i saj, nuk e ka dhënë as edhe një deklaratë deri më tani për këtë çështje.

Reagimi i fundit i Osmanit ka qenë para tri ditësh në rrjetin social Facebook, ndërsa për tri ditë presidentja është në heshtje të plotë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për situatën me energjinë elektrike, si për shumë çështje të tjera, fajin ua lë qeverive që kanë udhëhequr para tij.

Ai madje tërë barrën po ua lë qytetarëve, duke thënë se “dikush duhet të paguajë për shtrenjtimin e energjisë elektrike”, raporton Demokracia.com.

Çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme