Lajme
Osmani u tregon ambasadorëve se nuk do të shpallë zgjedhjet për largimin e kryetarëve të veriut, përgjegjësinë e hedh te KQZ-ja
Demokracia
09:37 | 22 Shkurt 2024

Share:

“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”.

Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dt. 21 shkurt 2024, me anë të së cilës ajo heq dorë përfundimisht nga ushtrimi i kompetencave kushtetuese që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore në Republikën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Këtë qëndrim ajo ua ka bërë të ditur në takim shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ambasadorit të Italisë, Antonello De Riu dhe zv. ambasadorit të Gjermanisë, Mathias Conrad.

PËRGJEGJËSITË KUSHTETUESE DHE LIGJORE TË PRESIDENTES OSMANI

Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti ka për detyrë të shpallë datën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, kurse sipas nenit 4 të Ligjit për Zgjedhje Lokale është gjitashtu detyrë e Presidentit që të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.

Pikërisht në kundërshtim me këto dy përgjegjësi që rrjedhin nga Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale, ka vendosur që të sillet presidentja e vendit.

Pra, sipas njoftimit, presidentja Osmani ka vendosur të mos veprojë dhe të rrijë e heshtur, duke mos zbatuar përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të saj.

VERIFIKIMI I NËNSHKRIMEVE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar me verifikimin e nënshkrimeve nga peticioni i organizuar nga serbët në komunat veriore të Kosovës.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), procesi i radhës që pason pas verifikimit të nënshkrimve është organizimi i procesit të votimit për largimin e kryetarëve nga funksioni.

Sipas UA-së, procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

Por, siç mund të shihet në njoftimn e presidentes Osmani, e para e shtetit nuk pritet që të caktojë datën për mbajtjen e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë të veriut. / Demokracia.com /

Të ngjashme