Lajme
Osmani thoshte se demarkacioni duhet të rrëzohet e votë, sot tha nuk është çështje e politikanëve
Demokracia
17:28 | 30 Maj 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në Samitin për Demokraci të Evropës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi, ka folur nga atje për demarkacionin.

Ajo për Radiotelevizionin e Malit të Zi ka thënë se me këtë çështje nuk duhet të merren politikanët, por ekspertët.

Osmani ka rikujtuar se Kosova i ka ratifikuar tri dokumentet nga kjo marrëveshje, shkruan Demokracia.com.

“Prandaj besoj se çfarëdo që është ratifikuar në parlamentin tonë paraqet rrugë drejt së ardhmes. Kjo do të thotë që në këtë moment kjo nuk duhet të jetë çështje për politikanët. Nuk duhet që politikanët të flasin për diçka që e kanë shqyrtuar ekspertët”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë që duhet të formohet një komitet i përbashkët teknik, i cili do të vendos kufijtë në bazë të ekspertizës së përbashkët që janë pajtuar dy shtetet.

Ndërkohë, sa ka qenë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Osmani ishte në grupin e deputetëve që e kundërshtonin demarkimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ajo së bashku me disa kolegë të LDK-së, si Shpejtim Bulliqi, kishin dalë kundër shefit të tyre, Isa Mustafës, i cili udhëhiqte me qeverinë.

Madje, në atë kohë, Osmani përveç kundërshtimit të demarkacionit thoshte se kjo marrëveshje nuk duhet të shkonte në Kuvend, pa kërkim faljen e kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa.

Osmani kishte thënë se demarkacioni duhet të rrëzohet me votën e deputetëve të Kuvendit.

“Demarkacioni mundet dhe duhet te rrëzohet me votë. Demarkacioni nuk duhet të shkojë në Kuvend pa kërkuar falje kryeministri (Isa Mustafa), që ka fyer rëndë njerëzit që kanë ekspertizë në këtë fushë e që kanë kundërshtuar me argumente demarkacionin”, kishte thënë Osmani./ Demokracia.com/

Kurti kërkon rishikimin e demarkacionit, Osmani nga Mali i Zi: Nuk është çështje politikanësh

Të ngjashme