Lajme
Osmani: Serbia planifikonte aneksimin e veriut të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar të tregojë vendosmëri për sanksione
Demokracia
12:25 | 10 Tetor 2023

Share:

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin kroat, Zoran Milanoviq në një konferencë të përbashkët për media ka thënë se miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve mbetet i palëkundur.

Osmani nga Zagrebi ka folur edhe rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, duke bërë thirrje sërish nga komuniteti ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë për rolin e saj në këtë agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Osmani tha se nëse kjo nuk ndodh, shteti serb do të përsërisë sulmet terroriste e agresionin ndaj shtetit të Kosovës, që siç tha Osmani qëllim kishin aneksimin e veriut të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Miqësia dhe partneriteti ynë është i rrënjosur thellë në vlerat e përbashkëta, të cilat shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet shteteve tona e popujve tanë. Kosova në periudhën e fundit po përballet me një nga periudhat më të rënda në 25 vitet e fundit shkaku i veprimeve hibride, nëpërmjet sulmeve terroriste e agresionit të sponsorizuar e të urdhëruar nga Serbia. Përmes kësaj shpresoj që partnerët tanë ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim, jo vetëm të Kosovës por edhe vetë rajonit. Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën ne po përballemi në Kosovë, më mirë se Kroacia.

Kroacia edhe vetë në fillim të viteve 90 u përball me një matricë të ngjashme, atëherë nga regjimi i Millosheviqit. Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë tek vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë, sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi si masë parandaluese për sulme të tjera në të ardhmen. Nëse kjo nuk ndodhë, Serbia do të ndihet më e fuqishme, më e ikurajuar nga mosdëshkimi për të vazhduar me akte të tjera e sulme të tjera në atë që sipas të gjitha provave që kemi mbledhur deri më tani, ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës. Kosova mbetet e palëkundur në vizionin, përpjekjet e saj për raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh presidentja Osmani.

Të ngjashme