Lajme
Osmani që heshti për sanksionet dhe aferën “Zdravo”, reagon për përleshjen në Kuvend
Demokracia
16:13 | 13 Korrik 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, e cila pothuajse asnjëherë nuk reagon për temat e ndjeshme në vend, sot e ka dënuar përleshjen në Kuvend. 

Osmani, e cila heshti kur Kosova u sanksionua nga BE-ja, por edhe nuk e komentojë koordinimin e LVV-së me kryekriminelin Milan Radojçiq, sot reagoi ndër të parat, shkruan Demokracia.com.

Ajo tha se sot i është bërë një dëm i madh institucioneve nga dhuna e përdorur në Kuvendin e Kosovës.

Osmani shkroi në Facebook se “dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë” dhe se ajo “nuk mund të shndërrohet në mjet politik”.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, shkroi Osmani.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shtoi Osmani.

Ajo tha se ”duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”.

Ndryshe, reagimi i presidentes Osmani për pamjet e shëmtuara në Kuvend del të jetë shumë më i shpejtë krahasuar me shumë çështje tjera të rëndësishme për vendin ndaj të cilave ajo jo rrallëherë ka qëndruar e heshtur. Madje, Osmani deri më sot ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për masat sanksionuese që tashmë BE-ja i ka shpallur ndaj Kosovës, shkaku i situatës në veri të vendit.

Të ngjashme