Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin do të kërkojë të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe, bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore, në një sulm kundër vlerave demokratike të Bashkimit Evropian.
Ajo në një intervistë për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, tha se është e alarmuar nga rritja e mundshme e tensioneve në Ballkan, ku Serbia është aleate e Rusisë.
“Padyshim, Putin do të përpiqet të përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin tonë, sepse përmes rajonit tonë ai dëshiron të arrijë Evropën. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan do të thotë të mbash paqen dhe stabilitetin në të gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani, duke shtuar se Serbia gjatë muajve të fundit ka kryer dhjetëra stërvitje ushtarake me Rusinë.
“Ne mbetemi mjaft të shqetësuar se Serbia ka rritur sasinë e armëve që po blen dhe kjo tregon synimet e saj në rajon”, tha ajo, duke iu referuar mbërritjes së fundit në Beograd të një sistemi modern kundërajror kinez.