Lajme
Osmani pret Hovenier: Kosova në koordinim të plotë me SHBA-në për çështjet prioritare
Demokracia
20:38 | 11 Gusht 2022

Share:

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

Osmani në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se me Hovenier ka biseduar për situatën e sigurisë në vend, si dhe në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për vazhdimin e koordinimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresimin e çështjeve prioritare.

Duhet theksuar se Ambasadori Hovenier, ditë më parë ka takuar edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Takimi i 4 gushtit u mbajt pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri, ku më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ambasadori amerikan ia ka kujtuar Rakiqit se vartësi i tij Milan Radoiçiq është në listën e zezë të sanskioneve të Departamentit të Thesarit.

Hovenier në një deklarim për media është shprehur se Radoiçiq është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare.

“Në këtë takim ia kujtova [Goran Rakiqit] një çështje të veçantë, por jo në kontekstin e deklaratës së fundit, por t’ia kujtoj njerëzve se Milan Radoiçiq nga Shtetet e Bashkuara është futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit dhe sipas informatave tona është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare dhe korrupsionit dhe ia bëra me dije atij qëndrimin e SHBA-së rreth këtij individi”, ka thënë ambasadori.

SHBA-ja në fund të vitit të kaluar kishte vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.

Të ngjashme