Lajme
Osmani pas takimit me Von der Leyen: Shpresojmë që të mos kemi kritere shtesë nga vendet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave
Demokracia
10:36 | 27 Tetor 2022

Share:

Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas takimit, në një konferencë për medie, presidentja Vjosa Osmani e ka falënderuar Ursula von der Leyen për angazhimin e saj për liberalizimin e vizave, por edhe angazhimin e Komisionit Evropian për këtë çështje, raporton Demokracia.com.

Osmani, në këtë konferencë theksoi se “shpreson” që vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta dëgjojnë Këshillin e Evropës dhe të mos kërkojnë kritere të reja teknike, të cilat siç theksoi ajo, do ta bllokonin vendimmarrjen politike për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Besoj se ka ardhur koha që BE të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, që është parakusht për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë. Kjo është për vendet që duan të bëjnë hapa serioz drejt integrimit në BE. E dimë që jeni plotësisht e përkushtuar për integrimin e rajonit tonë dhe mendoj se kjo vizitë është dëshmi për këtë. Megjithatë ne duhet të kërkojmë mbështetje nga të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian. Kosova pavarësisht se është performuesi më i mirë pothuajse në çdo indeks demokratik të sundimit të ligjit në rajonin tonë dhe më gjerë, për fat të keq sa i përket liberalizimit të vizave vazhdohet të trajtohet me një standard tjetër. Edhe pse sipas WJP ne radhitemi të dytët në botë dhe të parët në Evropë, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës.

Për qytetarët e Kosovës ka kaluar një kohë e gjatë që përkundër plotësimit të të gjitha kritereve ende nuk ka ndodhur liberalizmi i vizave. Unë ju falënderoj juve personalisht dhe Komisionin Evropian për qëndrimin e juaj konsistent. Realiteti qëndron që shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë marrë vendimin brenda këshillit. Prandaj shpresojmë shumë që thirrja e KE-së të respektohet nga shtetet anëtare dhe kjo padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës të përfundojë pa kritere të reja teknike që do ta bllokonin vendimmarrjen politike”, u shpreh Osmani.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë biseduar edhe rreth krizës energjetike ku edhe ka kërkuar bashkëpunim nga Bashkimi Evropian.

“Është vendimtare që BE të na qëndrojë pran dhe të na mbështes me krizat që të gjithë po ballafaqohemi, në radhë të parë për krizën energjetike që ka kapluar edhe shtetin tonë. E mirëpresim jashtëzakonisht shumë faktin që mbështetja e rajonit është në qendër të vizitës tuaj dhe shpresojmë që nëpërmjet një bashkëpunimi të afërt do të identifikojmë mekanizmat e duhur për lehtësimin e përballjes me rritjen e çmimeve të energjisë, për investime në projekte qofshin të vogla ashtu edhe të mëdha në burime të ripërtritshme të energjisë, për investime në përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe kapacitetit të rrjetit si dhe investime në masa të efiçiencës së energjisë”, theksoi Osmani. /Demokracia.com/

Të ngjashme