Lajme
Osmani pas takimit me Kuprecht: Mora zotimin se Zvicra do të angazhohet gjithmonë për Kosovën
Demokracia
23:06 | 03 Mars 2021

Share:

Në vazhdën e takimeve zyrtare në Zvicër, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Alex Kuprecht, president i senatit zviceran.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Zvicër, shkruan Demokracia.com.

Në vazhdën e takimeve, gjatë së mërkurës Osmani është takuar me presidentin e senatit zviceran, Alex Kuprecht.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se nga Kuprecht ka marrë konfirmimin se Zvicra do të angazhohet gjithmonë për Kosovën.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se kanë diskutuar edhe rreth rëndësisë së bashkëpunimit Kosovë-Zvicër në fushën e fuqizimit të sundimit të ligjit.

Por në këtë takim, Osmani nuk ka harruar të theksojë që kosovarët që jetojnë në Zvicër kanë ndikuar edhe më shumë në fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës.

Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Në vazhdën e takimeve zyrtare në Zvicër, pata kënaqësinë të takohem me z. Alex Kuprecht, President i Senatit Zviceran (Këshillit të Shteteve).

Përveç se u rikonfirmua raporti i shkëlqyeshëm ndërmjet Kosovës e Zvicrës, u potencua fakti se në këtë drejtim ka kontribuar dukshëm edhe diaspora jonë e jashtëzakonshme.

Në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e bashkëpunimit me Zvicrën në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit, si bazë për konsolidimin e shtetndërtimit, por edhe funksionimit të suksesshëm të shtetit. Konstatuam se një punë serioze në këtë drejtim, përveç se ndikon në përmirësimin e mirëqenies të qytetarëve të Kosovës, është edhe mesazh i suksesit ndaj miqve e aleatëve tanë.

Kuprecht konfirmoi se Zvicra do të angazhohet gjithmonë për Kosovën, gjersa diskutuam për mundësitë që ekzistojnë drejt tërheqjes së investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë, fuqizimit të grave dhe krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Takimet e sotme shënojnë hapa të rëndësishëm drejt arritjes së këtyre objektivave. /Demokracia.com/

Në vazhdën e takimeve zyrtare në Zvicër, pata kënaqësinë të takohem me z. Alex Kuprecht, President i Senatit…

Posted by Vjosa R. Osmani on E mërkurë, 3 Mars 2021

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025