Lajme
Osmani në Samitin e Frankofonisë: Të kujdesemi që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet popujve
Demokracia
20:04 | 19 Nëntor 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Samitin e Frankofonisë ka thënë se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.

“Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik”, tha ajo.

Në sesionin e parë plenar të këtij samiti i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit, Osmani  ka potencuar se  shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale.

“Presidentja Osmani mbajti një fjalim në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit. Në fjalimin e saj, Presidentja theksoi se si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani ka theksuar se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.

“Më tej, Presidentja Osmani foli mbi digjitalizimin, si vektor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm, duke u përqëndruar në ndikimin që ai ka në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social. Ajo theksoi se Kosova përbën histori suksesi në zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe shtoi se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik. Sipas Presidentes Osmani, zhvillimi i shpejtë teknologjik duhet të na përgatisë për përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.

Osmani ka rekomanduar se duhet të sigurohemi se do ta përdorim drejt dijen tonë, duke u kujdesur që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe popujve.

Presidenca gjithashtu njoftoi se në këtë samit Osmani ka takuar një numër të krerëve të shtetit e të delegacioneve të vendeve të ndryshme që ishin prezent./Demokracia.com

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024