Lajme
Osmani në OKB: Duhet t’i themi jo Rusisë
Demokracia
09:30 | 24 Shkurt 2024

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të premten, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 56-të plenare të seancës së 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me rastin e dy vjetorit të agresionit rus në Ukrainë, ka kërkuar që Moska zyrtare ta ndalojë këtë luftë të pakuptimtë dhe t’i tërheq trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës.

“Rusia shkeli parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe filloi luftë agresive kundër Ukrainës, një vend anëtar i OKB-së”, theksoi Osmani.

Osmani sakaq kërkoi unitet në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për hir të viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe si parakusht për shmangien e agresioneve të mëtejshme dhe përdorimit të paprovokuar të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Duhet t’i themi jo Rusisë! Drejtësia dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojnë. Është detyra jonë të ekspozojmë Rusinë në hapësirat multilaterale dhe të vazhdojmë të insistojmë në përgjegjësinë morale, ligjore dhe politike”, ka potencuar ai.

Ndryshe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka propozuar kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i BDI-së, nën sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, ku ka ftuar qytetarët që ta përkrahin Osmanin, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, për të udhëhequr me presidencën maqedonase.

Osmani është kandidati i dytë shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, pasi që ditë më parë, opozita shqiptare atje (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët), propozuan kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin, që të jetë kandidat i tyre për president.

Në fjalën e tij, Ahmeti ka deklaruar se Osmani e ka dëshmuar veten si politikan, derisa konsideroi se tani ai është gati për betejën e ardhshme.

Të ngjashme