Lajme
Osmani ndahet prej “tufës” dhe nuk i del kundër Lajçakut, a po “pavarësohet” nga Kurti?
Demokracia
17:10 | 20 Shtator 2023

Share:

Të enjtën e kaluar u mbajt raundi i radhës i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa sukses, por duke prodhuar kritika dhe akuza të reja.

Kësaj radhe akuzat nuk ishin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serv Vuçiq, por mes kryeministrit Kurti dhe ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak, shkruan Demokracia.com.

Pas përfundimit të bisedimeve, Kurti doli për media dhe hodhi akuza drejt Lajçakut, duke thënë se ai po e përfaqëson Serbinë dhe nuk po e luan rolin e ndërmjetësit.

Akuzat e Kurtit u ashpërsuan edhe më shumë në konferencën për media në Kosovë.

Në përkrahje të Kurtit karshi Lajçakut dolën lidershipi i vendit, si kryeparlamentari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Por, ‘pro’ deklaratave të Kurtit nuk doli edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ajo u takua me Lajçakun gjatë qëndrimit të saj në ShBA, nga ku nuk doli me asnjë kritikë karshi tij sikurse Kurti, Konjufca, Gërvalla e Bislimi.

Veprimet e presidentes Osmani hedhin dyshime se mund të ketë mospajtime lidhur me kahjen e dialogut mes saj dhe kryeministrit Kurti.

Duke marrë parasysh veprimet në të kaluarën, Kurti e Osmani pothuajse gjithmonë janë shfaqur me deklarime të bashkërenduara, por kësaj radhe po del të jetë më ndryshe./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024