Lajme
Osmani, Mustafës: Më 14 shkurt, do t’ju hapim pensionimin politik atyre që thonë se qytetari nuk vendos
Demokracia
14:38 | 12 Shkurt 2021

Share:

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani së bashku me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin kanë mbajtur tubimin e fundit të kësaj fushate parazgjedhore.

‘Hapni rrugë se ndryshimi po vjen‘ tha Osmani në tubimin e sotëm në sheshin e Prishtinës, dhe se vota për 127 do të jetë votë kundër korrupsionit dhe kundër kapësve të shtetit, përcjell Demokracia.com

 “Asgjë më të mirë e më të ngrohtë nuk kemi marrë këto ditë sesa vullneti e dashuria anekënd Kosovës. Cila është porosia që e kemi marrë – është 127. Vota për 127, është votë kundër korrupsionit, kundër kapësve të shtetit. Hapni rrugë se ndryshimi po vjen”, tha ajo, për çka turma në sheshin Skënderbeu në Prishtinë u nxit dhe nisi të thërrasë “Hajnat në burg”.

Osmani e vazhdoi fjalimin duke thënë se pas këtyre zgjedhjeve duhet të pensionohen ata që thonë së qytetari nuk vendos, duke iu referuar deklaratës së Isa Mustafës të para disa ditëve.

“Më 14 shkurt, do t’ju hapim pensionimin politik atyre që thonë se qytetari nuk vendos. Pas 14 shkurtit do ta japim qeverinë e shpresës, jo për 52 ditë, por për katër vjet të plota”, shtoi ajo.

Ndryshe, Mustafa kishte deklaruar javë më parë se qytetari nuk vendos se kush do ta udhëheqë vendin.

“Qytetari nuk vendos kush do ta qeverisë vendin, vota e qytetarit vendos për deputetët dhe vendos se cila parti do të ketë më pak deputetë, por qytetari nuk vendos se kush do ta qeverisë vendin sepse në zgjedhje të përgjithshme nuk votohet për qeveri por për parlamentin”, kishte thënë Mustafa./Demokracia.com

Të ngjashme