Lajme
Osmani: Mosmarrëveshjet kalohen nëse ulemi dhe flasim me SHBA-në dhe BE-në
Demokracia
10:23 | 17 Qershor 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur optimiste për tejkalimin e mosmarrëveshje në mes të Kosovës dhe aleatëve perëndimor.

Ajo ka bërë me dije se këto mosmarrëveshjet nuk mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media.

Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, shefja e shtetit ka deklaruar se mospajtimet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në mund të kalohen vetëm duke komunikuar.

“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”, ka thënë ajo, raporton DW.

Duke komentuar rritjen e tensioneve në mes të dy vendeve, ajo ka thënë se kjo ka ndodhur edhe për shkak të pakënaqësisë me mënyrën se si po ecën dialogu Kosovë-Serbi.

“Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”, është shprehur.

Ajo ka kritikuar vendet perëndimore për mos reagim ndaj Serbisë për shkelje të marrëveshjes.

“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”, ka deklaruar Osmani.

E para e vendit ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Ajo është shprehur e bindur se ky proces nuk do të ndalet, pavarësisht zhvillimeve në vend.

Osmani ka thënë se për këtë kanë marrë garancione nga institucionet e BE-së.

“Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, ka thënë presidentja.

Të ngjashme