Lajme
Osmani: Mësimdhënësit, bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë
Demokracia
16:20 | 07 Mars 2021

Share:

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

U.d e presidentit, Vjosa Osmani ka kujtuar mësimin në shtëpitë-shkolla që siç tha ajo u këto shtëpi u shndërruan në djep të arsimit, shkruan Demokracia.com.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ende sot sfidat mbeten të mëdha dhe sipas saj duhet shumë punë për të bërë për arsim.

“Sot jetojmë në një realitet ndryshe, sot e drejta për arsim është e garantuar. Por ende sot, sfidat mbeten të mëdha e punët që duhen bërë janë të shumta. Përderisa lëngon sistemi jonë i arsimit, bashkë me të do të lëngojë edhe shoqëria jonë. Sepse, nuk ka vend që jeton në mirëqenie të plotë e gëzon progres të vërtetë, përderisa pjesë të caktuara të shoqërisë ballafaqohen me sfida për t’u qasur bankave shkollore e gjersa aftësia e nxënësve tanë për të përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre të leximit, matematikës dhe shkencës për të përmbushur sfidat e jetës reale nuk janë në nivelin e dëshiruar”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Në 7 marsin e vitit 1887, në Korçën e bukur, në qytetin e serenatave u ekzekutua një nga notat më domëthënëse të historisë sonë që hapi rrugën për kompozimin e një serenate të veçantë për popullin tonë. Në 7 marsin e 134 viteve më parë u hodhën hapat e parë në rrugëtimin më fisnik që ndriçoi mendjet tona. Në këtë ditë, me ndërtimin e mësonjëtores së parë shqipe u vu bazamenti më i qëndrueshëm i arsimit shqiptar.

Në frymën e atdhetarëve e veprimtarëve të shquar që dhanë kontributin fisnik për kombin, përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe e zhvillimin e arsimit u përhapën qytet pas qyteti, e cep me cep aty ku flitej e bukura gjuhë e jonë.

Ashtu siç nuk ishin fillimet e lehta për të parët tanë, aspak e lehtë nuk është as historia e arsimit të ditëve tona. Të freskëta i kemi kujtimet kur tentuan të na mohonin të drejtën për arsim, të freskëta i kemi përjetimet e të mësuarit në shtëpitë që u shndërruan në djepin e arsimit, vetëm e vetëm që serenata e arsimit të mos ndalonte së kumbuari e rrugëtimi i dijes të vazhdonte përkundër pengesave.

Sot jetojmë në një realitet ndryshe, sot e drejta për arsim është e garantuar. Por ende sot, sfidat mbeten të mëdha e punët që duhen bërë janë të shumta. Përderisa lëngon sistemi jonë i arsimit, bashkë me të do të lëngojë edhe shoqëria jonë. Sepse, nuk ka vend që jeton në mirëqenie të plotë e gëzon progres të vërtetë, përderisa pjesë të caktuara të shoqërisë ballafaqohen me sfida për t’u qasur bankave shkollore e gjersa aftësia e nxënsve tanë për të përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre të leximit, matematikës dhe shkencës për të përmbushur sfidat e jetës reale nuk janë në nivelin e dëshiruar.

Secilën herë që vizitoj shkollat e vendit tonë, kuptoj sa shumë potencial kemi e sa jo mjaftueshëm është bërë. Andaj, rrugëtimin tutje do e vazhdojmë duke prioritizuar investimet në këtë drejtim, duke u angazhuar për një zhvillim të dinjitetshëm të sistemit të arsimit, e duke u angazhuar për mësim cilësor e të qasshëm për të gjithë.

Sot dua në veçanti të përkulem përpara punës së mësuesve e të mësuesve tona, përpara të gjithë atyre që ndriçimin e rrugëtimit të dijes e kanë mision të jetës. Ju jeni bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë e ata që i ndriçuat me mësimet tona janë garanca jonë më premtuese për një të ardhme më të mirë.

Të dashur mësues e mësuese të vendit tonë, urime 7 Marsi!

P.S. videot janë bërë gjatë vizitave të mëhershme në shkolla, disa prej të cilave para se të fillojë pandemia./Demokracia.com/

Të ngjashme