Lajme
Osmani kritikon BE-në: Nuk po flet me gjuhë të qartë për moszbatimin e marrëveshjeve nga Serbia
Demokracia
15:40 | 18 Prill 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, ka kritikuar rolin e Bashkimit Evropian karshi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nuk po e respekton parimin e barazisë së palëve.

Osmani ka thënë se BE-ja ende nuk ka folur me gjuhë të qartë publike sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë.

“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia në praktikë vazhdon të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, që të ndërpresë një praktikë të tillë ku janë prezentë në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion, pra e bllokojnë çdo marrëveshje”, është shprehur ajo për KlanTv.

Mes tjerash, ajo ka përmendur kritikat e vazhdueshme të BE-së karshi Kosovës.

“Është vetëm një marrëveshje që nuk është zbatuar sepse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese, por BE-ja ka qenë shumë e zëshme në këtë drejtim”.

Osmani ka theksuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm, ndërsa ka shtuar se i gjithë procesi i dialogut do të jetë i fokusuar në njohjen reciproke.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar.

Për Kosovën, parimi i reciprocitetit për zgjidhjen lidhur me targat e makinave është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje për targat, pasi aktualisht është në fuqi një marrëveshje e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

“Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik i cili merr pjesë atje si dhe kryengeciatorin i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 18 prill.

Të ngjashme