Lajme
Osmani ia bën të qartë Kurtit nga Nju Jorku: Partneriteti me ShBA-në i pacenueshëm
Demokracia
15:31 | 21 Shtator 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Nga atje, Osmani ia ka dërguar një ”selam” kryeministrit Albin Kurti, duke thënë që partneriteti i Kosovës me SHBA-në është i pacenueshëm, shkruan Demokracia.com.

“Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të. Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova.”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Kujtojmë që sot kryeministri Albin Kurti ka marrë edhe një ”goditje” nga SHBA-ja.

I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për akuzat e Kurtit drejtuar ndërmjetësit evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

Escobar ka thënë se Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara dhe se i njëjti nuk do të largohet nga pozita që e ka në dialog.

Emisari amerikan ka thënë se është i alarmuar nga sulmet, siç i ka quajtur ai “personale” në Kosovë ndaj Lajçakut.

Esocbar ka thënë se nuk po pohon se këto sulme vijnë nga Qeveria e Kosovës, por se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.

Ai shtoi se ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që t’i dënojnë këto sulme.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, është shprehur Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Gjatë ditës së djeshme edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke folur për procesin e dialogut tha se SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si “zbatues objektivë të kësaj politike”.

“SHBA dhe partnerët tanë e shohin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si mënyrën e vetme për të avancuar dhe arritur integrimin evropian dhe për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së më 19 nëntor rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre. SHBA-ja pajtohet plotësisht me atë deklaratë. Dështimi për të normalizuar marrëdhëniet është dhe mbetet pengesë për avancimin e këtij rajoni drejt institucioneve euroatlantike”, tha ai.

Hovenier tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka përkrahje të plotë nga SHBA-ja.

“Po e them tash siç do ta përsëris edhe sot më vonë, do të shihni përkrahje të plotë të SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për dështimin e bisedimeve, duke e akuzuar atë për njëanshmëri dhe qëndrime kundër Prishtinës. /Demokracia.com/

Të ngjashme