Lajme
Osmani i thotë pak fjalë për grevën, hiqet sikur nuk e di se mësimdhënësve u janë ndalur pagat
Demokracia
21:31 | 01 Shtator 2022

Share:

Më në fund ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, pas një jave prej kur ka nisur greva e mësimdhënësve dhe u janë ndalur atyre edhe pagat nga ana e Qeverisë.

Ndonëse nuk i ka dhënë të drejtë as mësimdhënësve grevistë dhe as Qeverisë së Albin Kurit, Osmani ka bërë thirrje që të nis dialogu.

Edhe pse sindikalistët para se të nisnin grevën i kishin shfrytëzuar të gjitha mundësitë për dialog, Qeveria e Kurtit nuk u ishte përgjigjur kërkesave të tyre, shkruan Demokracia.com.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar Osmani.

Ajo duke u munduar që të mos i lëndojë raportet e veta me Kurtin, ka thënë se sindikata ka të drejtë t’i adresojë shqetësimet e saj, por duke shmangur dëmin e pariparueshëm.

“Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresojë shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”, ka thënë Osmani.

Presidentja e vendit ka shtuar tutje se arsimi ka luajtur rol jo vetëm në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, sipas saj, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve.

“Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik.”, ka shtuar Osmani.

Ajo sërish ka thënë se duhet të dialogohet mes palëve.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera. Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve.”, shtoi tutje presidentja Osmani.

Ajo tha se është pro përmirësimit të pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim.

“Suke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu! Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor.”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme