Lajme
Osmani i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999
Demokracia
10:26 | 15 Dhjetor 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “ideja hegjemoniste” e Serbisë për vendosjen e trupave në Kosovë, ka marrë fund më 12 qershor 1999, ditën kur kanë hyrë në Kosovë trupat paqeruajtëse të NATO-s.

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, “vazhdon të jetë sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë”.

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucione për sundim të ligjit.

“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit dhe frikësimit të qytetarët”, tha Osmani.

Sipas saj, pretendimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë është ide hegjemoniste. Por ka shtuar se prezenca e asaj ushtrie ka marrë fund në vitin 1999.

“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e cila i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave kriminale. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve për të jetuar të lirë në atdheun tonë. Bandave nuk iu pëlqen zbatimi i ligjit në vend, por nuk ju pëlqen as lufta e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ata do të përballen me drejtësi për frikësimin që po ua bëjnë qytetarëve. Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e di fare mirë që prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, ka thënë ajo.

Fjalimi vjetor i Osmanit vjen në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë në mënyrë kategorike dislokimin e trupave serbe në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme