Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka ritheksuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin evropian, duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë rrugë anëtarësimit të vendit dhe të heqë masat ndëshkuese ende në fuqi.
Osmani ka shtuar se Kosova është plotësisht e përgatitur për të ecur përpara në këtë proces.
Ajo u ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të merren urgjentisht me heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë qytetarët dhe po vonojnë jetësimin e ëndrrës evropiane.
“Kosova është gati të ec përpara. Integrimi evropian është një rrugë që kërkon përkushtim… Nën udhëheqjen tuaj t’i hapet rruga Kosovës drejt BE-së. Çdo minute me masat në fuqi është minutë me shumë padrejtësi. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më larg realizimit të ëndrrës evropiane për qytetarët tanë. Shpresojmë që vendet anëtare më në fund të pajtohen që ato të hiqen”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka theksuar se për dallim nga disa vende të rajonit për të cilat BE është vetëm një opsion, për Kosovën është rruga e vetme.
“Nëse për dikë në rajon BE-ja është vetëm një nga rrugët, ju siguroj se për Kosovën është rruga e vetme”, ka deklaruar ajo.
Në lidhje me vizitën e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Rusi, Osmani ka potencuar se një vizitë e tillë nuk duhet të merret si i mirëqenë dhe kërkoi që institucionet evropiane të kenë një qasje më të qartë ndaj veprimeve të Serbisë dhe lidhjeve të saj me Moskën.
“Vizita e tij nuk mund të shihet ndryshe përpos akt i qartë politik që sfidon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e BE-së. Nëse një vend pretendues për të qenë anëtar sillet kështu dhe nuk ballafaqohet me asnjë masë lidershipi atij vendi, pyetja lind natyrshëm çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë”, ka thënë ajo.