Lajme
Osmani: FSK është krenaria dhe mburrja e Kosovës
Demokracia
12:10 | 09 Mars 2021

Share:

Sot është mbajtur ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit.

Ceremonia e cila u mbajt në sallën e sporteve në kazermën “Adem Jashari“, në Prishtinë, u shoqërua edhe nga përcjellja e komandantes supreme të FSK-së, u.d e presidentes, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Forcës, Anton Quni, përcjell Demokracia.com.

Osmani tha se ndihet krenare që si presidente e ka nënshkruar autorizimin për nisjen e këtij kontigjenti në shtetin e Kuvajtit.

“Ndihem krenare për nënshkrimin e autorizimit të këtij kontigjenti në këtë mision të parë krah për krah me miqtë tanë amerikanë. Ky mision gjashtëmujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht me ushtrinë amerikane, ndaj paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik”, shtoi Osmani.

Ajo theksoi se ushtarët të cilët po i përcjellin janë jo vetëm nderi dhe krenaria për Kosovën por edhe për SHBA-në, duke shtuar se 22 vite më parë dukej e paimagjinueshme që ushtarët tanë të merrnin pjesë në  ndonjë mision paqeruajtës.

“Këta djem që po i përcjellim sot, e së shpejti edhe vajza ushtarake, do të jenë nderi dhe krenaria jo vetëm e jona por edhe e partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“22 vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme se ushtarët tanë do të mund të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë”, tha Osmani. “Sot kjo gjë po bëhet realitet sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t’ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre në ndërtimin dhe në ruajtjen e paqes, nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse, sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse”.

U.d e Presidentit tha se kontigjenti që po dërgohet në numër është i vogël, por i madh në përmbajtje.

“Ky kontigjent që po e dërgojmë në shtetin e Kuvajtit është i vogël në numër, por i madh në përmbajtje dhe në mesazh. Këta djem po e shkruajnë historinë e re të Forcës sonë”, tha Osmani.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka trashëguar një pjesë të përmbajtjes e të idealit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tha Osmani.

“Megjithëse e krijuar së voni, Forca ka trashëguar një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes e idealit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e më vonë edhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e sot Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale”, shtoi Osmani.

Osmani ndër të tjera tha se kush kërcënon Amerikën e ka kërcënuar edhe Kosovën dhe aleatët  e tjerë.

“Me aleatët tanë ushtarak na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Jam e sigurtë se ju do ta bëni të pamundurën që me profesionalizëm e dedikim, t’i jepni shanse paqes, jo vetëm aty ku po shkoni sot, por kudo që ju besohet kjo detyrë”.

“Kushdo që kërcënon SHBA-në ka kërcënuar edhe Kosovën dhe aleatët e saj. Pra në Kosovë Amerika dhe aleatët e tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”, shtoi Osmani.

“Ajo ndër të tjera tha se trupat e FSK-së do të jenë edhe ambasadorë të paqes dhe krenaria e shteit tonë.

“Nuk do të jeni vetëm paqeruajtësit tanë e parë, por edhe ambasadorë të paqes. Do të jeni imazhi i shtetit tonë, do të jeni mburrja dhe krenaria jonë”, tha Osmani.

Njësitë e FSK-së do të jenë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Iowa-s./Demokracia/

Të ngjashme