Lajme
Osmani “flirton” me LDK-në për fatin e saj politik | Presidentja shpërfilli Kushtetutën duke propaganduar për Imri Ahmetin, lobuesin e saj brenda LDK-së
Demokracia
20:35 | 20 Mars 2024

Share:

“Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Kështu shkruan në nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës, por ky përkufizim lexohet nga presidentja aktuale Vjosa Osmani vetëm në rastet kur i shërben të mos mbajë qëndrim të hapur që mund të bie ndesh me politikat e Qeverisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, për të arritur qëllimet e saj, Osmani nuk pyeti për “unitetin e popullit” që ajo duhet të përfaqësojë kur më 18 mars 2024 vizitoi Komunën e Lipjanit dhe kryetarin e saj Imri Ahmetin nga LDK, i cili njihet për afërsinë e madhe me Osmanin.

Lavdërimet e pazakonta të presidentes Osmani për punën e kryetarit Ahmeti fshehin një qëllim tjetër të të parës së shtetit. Demokracia.com ka mësuar nga njerëz të afërt me Osmanin se presidentja është e shqetësuar për fatin e saj politik, pasi që çfarëdo koalicioni i ri pas procesit zgjedhor që pashmangshëm pritet të jetë gjatë këtij viti, do të negociohet edhe për presidentin e ardhshëm dhe duke qenë së Osmani mbetet politikisht e pafuqishme, ajo ka filluar të flirtojë sërish me LDK-në.

Në mes korit diplomatik në Kosovë ka kohë që përflitet formula që është shtyrë nga Osmani për një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, me ndërrime pozicionesh dhe Kurtin president, duke e parë veten Osmani herë si kryeparlamentare e herë si zëvendëskryeministre dhe ministre e jashtme e një qeverie në krye me Abdixhikun. Megjithatë, siç thuhet nga burime të mirëinformuara, ky kombinim është i pamundur për shkak se Kurti nuk e negocion pozitën e kryeministrit dhe një zhvendosje e tij eventuale ia rrënon partinë, e cila nuk ka struktura të shtrira mirë në terren. Ndërkaq, përfshirja e Abdixhikut në koalicion me Kurtin si vartës i tij ose si kryeparlamentar po shihet me rrezik nga LDK-ja, pasi që vendi mund të shkojë në zgjedhje të njëpasnjëshme, nëse koalicioni i ri nuk arrin ta sigurojë më pas kuorumin prej 2/3 të deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri kur të vjen koha, kushdoqoftë ai ose ajo. Ky shihet si rrezik nga ndërkombëtarët edhe në përpjekjet e tyre për një koalicion opozitar, sepse zgjedhja e presidentit të ri rrezikon të provokojë zgjedhje të reja dhe Kurti mund të mos lëshojë pe në negociata dhe të vendosë të shkojë në opozitë, me shpresë që rikthehet kur nuk mund të zgjedhet presidenti i ri dhe vendi pas disa muajsh mund të shkojë sërish në zgjedhje.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, siç ka mësuar Demokracia.com, është njëfarë lobuesi i presidentes Osmani brenda LDK-së dhe në qendër të kësaj fushate është kalkulimi politik i Osmanit për një mandat të dytë si presidente në kurriz të LDK-së, nëse arrin të katapultohet disi.

OSMANI MBAN ANË, IA JEP NJË TË SHTYRË IMRI AHMETIT

“Ne sot me Lipjanin po i vazhdojmë vizitat nëpër komuna. Ahmeti është një prej kryetarëve që njihemi më se 20 vite. Nga puna e tij e deritanishme, qytetarët e Lipjanit jam e bindur që kanë me çka të krenohen. Është komunë që ka ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset, janë mbi 2 mijë biznese që operojnë këtu. Biseduam edhe për investitorët e jashtëm”, tha Osmani.

Kjo deklaratë e presidentes Osmani, që e sheh punën e kryetarit të Lipjanit, si një mundësi që qytetarët e Lipjanit të krenohen është një shfaqje publike e animit politik.

Zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave do të mbahen në pjesën e dytë të vitit 2025 dhe deklarata e Osmanit, po ashtu, është edhe një mbështetje e hapur për rikandidimin eventual të Ahmetit.

Përmes kësaj deklarate, presidentja Osmani ka ndërhyrë në debatin e përditshëm politik në komunën e Lipjanit, ku opozita është mjaft aktive në kritikat ndaj qeverisjes së Ahmetit.

Me këtë deklaratë, Osmani nuk ka dashur të njoh as rezultatet e zgjedhjeve të fundit në këtë komunë dhe as pluralitetin politik.

Aktualisht, në Kuvendin e kësaj komune, përveç LDK-së, përfaqësohen edhe 4 parti tjera politike (PDK, LVV, PAI dhe AAK) me 15 asamblistë.

Gjithashtu, Ahmeti nuk ishte as kandidati i vetëm për kryetar komune, por ai kishte edhe tre kundërkandidatë, si një dëshmi e qartë e jetës politike të shumëllojshme.

Deklarata politike kaq të njëanshme, Osmani nuk ka bërë asnjëherë gjatë vizitave te kryetarët e tjerë të komunave. /Demokracia.com/

Të ngjashme