Lajme
Osmani: Evropa e bashkuar është e paplotë pa Kosovën
Demokracia
12:06 | 15 Qershor 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ka përmendur përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, duke thënë se janë të palëkundur në këtë synim.

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë bashkë me Michel, Osmani ka thënë se ka ardhur koha që marrëdhëniet e Kosovës me institucionet evropiane të ngritën në një nivel më të lartë.

Derisa ka përmendur agresionin rus në Ukrainë, Osmani ka theksuar se populli i Kosovës mbetet stoik në refuzimin e ndikimit rus, por siç ka thënë, edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë më i qartë në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Pavarësisht përkushtimin tonë ndaj vlerave, mospërmbushja e premtimeve për rajonin tonë po lë hapësirë për ndikim të jashtëm. Populli i Kosovës do të mbetet stoik në refuzimin e ndikimit rus por BE duhet ta bëjë të qartë perspektivën evropiane të rajonit tonë. Kemi nevojë për liberalizim, duhet të ketë angazhim më aktiv. Është po ashtu e rëndësishme të sigurohemi që marrëdhëniet tona me BE-në të forcohen”.

Ajo tutje ka përmendur edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, duke thënë se “jemi të përkushtuar në këtë proces, i cili duhet të bazohet në njohje reciproke”.

“Për në dialogu nuk është vetëm kërkesë e komunitetit ndërkombëtar por edhe proces që i shpie dy vendet drejt integrimeve evropiane. Dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke”.

Të ngjashme