Lajme
Osmani e paraqet Kosovën vend potencial për investime, Kurti i tremb invesitorët me thirrjet për luftë
Demokracia
14:41 | 25 Shkurt 2024

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk po kanë ide për të tërhequr invesitorë të huaj.

Derisa njëri e paraqet Kosovën si vend me potencial për investime, tjetri po flet për mundësi lufte në veri të vendit, shkruan Demokracia.com.

Osmani deri sa po qëndron në një vizitë në Katar, sot e ka paraqitur Kosovën si një vend me potencial zhvillimor.

“Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim për media të Presidencës.

Por, Kurti po i frikëson invesitorët e huaj me deklarimet e tij në mediat ndërkombëtare.

Ai Kosovën po e paraqet si një vend jo të sigurtë, me rrezik lufte në veri të vendit, shkruan Demokracia.com.

Kreu i ekzekutivit kishte listuar edhe katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt.

“Për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të Gazprom. Ministria ruse e Mbrojtjes ka ngritur zyrën e saj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska”, ishte shprehur ai.

“Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financojnë strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë”, kishte thënë Kurti.

LEXO MË SHUMË:

Kurti sërish flet për luftë, liston katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt me Serbinë

Për rrezikun e një lufte në Kosovë, Kurti e kishte folur edhe në CNN.

Kurti kishte thënë se Beogradi ka lidhje shumëdimensionale me Kremlinin, që theksohen përmes bashkëpunimit ekonomik dhe atij ushtarak që ato kanë.

Sipas tij, ky bashkëpunim i ngushtë rrezikon një vatër të re lufte, pas Ukrainës.

“Është e mundur, sepse në Ballkan kemi regjimin e Kremlinit në Serbinë. Beogradi ka lidhje me Kremlinin përmes ekonomisë dhe ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka një zyrë në Zyrën e Mbrojtjes në Serbi. Shqipëria, Maqedonia dhe Mlai i zi e njohin Kosovën, por jo edhe Serbia. Serbia s’i pranon as krimet e kryera në vitet ‘98-99, kur NATO intervenoi për të ndalur gjenocidin serb”, kishte theksuar kryeminsitri Kurti.

LEXO MË SHUMË:

Kurti në CNN flet sërish për rrezikun e një luftë të re

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kurti në një intervistë të dhënë për gjermanen Stern, ishte pyetur për mundësitë e një konflikti të ri nga Serbia dhe nuk e kishte përjashtuar.

“Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne. Por, ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”, ishte shprehur i pari i qeverisë.

LEXO MË SHUMË: 

Kurti pyetet për një luftë tjetër në Kosovë, s’e përjashton mundësinë e një sulmi të ri nga Serbia

Kjo strategji e pakoordinuar mes Kurtit e Osmanit po jep efekte negative.

Investimet e huaja direkte kanë rënë dukshëm. Ato kanë shënuar rënie prej 14.5 për qind apo 245.3 milionë eurosh.

Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rënia e IHD-së është evidentuar kryesisht në sektorin e paluajtshmërisë, që u karakterizua me një rënie prej 6.2 për qind dhe ka arritur vlerën prej 152.9 milionë eurosh (163.1 milionë euro në TM3 2022)./Demokracia.com/

Të ngjashme