Lajme
Osmani e lë në lloç Kurtin për kauzën e rrejshme: Për mua, Demarkacioni është çështje e mbyllur
Demokracia
20:39 | 08 Shkurt 2023

Share:

Bashkëpunëtorja politike e Albin Kurtit, Vjosa Osmani, e ka shpallur çështje të mbyllur atë për të cilën u hodh gazlotsjellës në Kuvend të mos votohej – Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Osmani dikur si shefe e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme votonte kundër projektligjit për Demarkacionin kur ishte sjellë në këtë komision.

Osmani, e cila dikur edhe dilte kundër shefit të saj në LDK në mënyrë që ta kundërshtonte Demarkacionin, në një intervistë për të përditshmen malazeze ‘Vijesti’ dhënë të mërkurën ka thënë se për të është çështje e mbyllur.

“Jo. Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”, deklaroi ajo.

“Deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve parashikon ndër të tjera se do të formohet një komision i ri teknik me ekspertë nga të dyja palët për t’u ulur dhe për të trajtuar çdo çështje të hapur. Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”, vijoi më tej deklarimi i saj, shkruan Demokracia.com.

Osmani dikur thoshte se ish-shefi i saj në LDK, Isa Mustafa, duhet të kërkojë falje para se të sjellët në Kuvend.

“Demarkacioni mundet dhe duhet te rrëzohet me votë. Demarkacioni nuk duhet të shkojë në Kuvend pa kërkuar falje kryeministri (Isa Mustafa), që ka fyer rëndë njerëzit që kanë ekspertizë në këtë fushë e që kanë kundërshtuar me argumente demarkacionin”, kishte thënë Osmani.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë vitit të kaluar ishte zotuar se do ta rishikonte marrëveshjen për demarkimin e kufijve me qeverinë e Abazoviqit.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje [demarkacionin] për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, deklaronte ai pas një vizite që ia bënte një shkolle në Prishtinë.

Megjithatë, synimet e Kurtit për një rishikim të mundshëm të marrëveshjes së demarkimit të kufijve mes Kosovës dhe Malit të Zi morën fund nga kryeministri shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviq. Ai e cilësoi një gjë të tillë çështje të kryer.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Malin e Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, deklaroi vjet Abazoviq.

Gaz lotsjellësi që hidhte Kurti në Kuvend për kundërshtimin e marrëveshjes së Demarkacionit pasonte me dënimin e tij me kusht për përdorim të armës, gjë që ia pamundësonte kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës. Kjo për shkak se ishte i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit, që binte në kundërshtim me rregullat e KQZ-së për certifikimin e tij.

Për çështjen e gazit lotsjellës po vazhdon të gjykohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ministrja në paraqitjen e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë përgjatë rigjykimit vlerësoi se gazi lotsjellës nuk kategorizohet si armë. /Demokracia.com/

Të ngjashme