Lajme
Osmani e Kurti uruan Bajramin veç në Facebook, Konjufca shkoi në BIK
Demokracia
22:06 | 09 Korrik 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot nuk e vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Për dallim nga Osmani e Kurti, që i uruan besimtarët myslimanë me nga një status në Facebook, kryeparlamentari Glauk Konjufca shkoi personalisht në BIK për vizitë në këtë ditë feste, shkruan Demokracia.com.

Presidentja Osmani u mjaftua me një status nëpërmjet të cilit tha se Kurban Bajrami duhet të shërbejë si moment reflektimi për tolerancë, mirëkuptim e solidaritet.

“Festa e Kurban Bajramit sjelltë në familjet tuaja paqe, lumturi e begati! Me fat Kurban Bajramin!”, ka shkruar Osmani.

Edhe kryeministri Kurti u mjaftua, po ashtu, me një status.

“Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, festën e sakrificës. Me synim tjetrin e jo veten, në këtë ditë rikujtojmë mësimet hyjnore për t’u treguar bujarë e zemërgjerë, sidomos me skamnorët, jetimët, të dobëtit dhe të vetmuarit. Uroj që kjo festë të sjellë paqe e lumturi në zemrën e secilit e solidariteti të jetë udhërrëfyes i përhershëm. Gëzuar e me fat Kurban Bajrami!”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Në këtë ditë në BIK për vizitë ishin përfaqësues të bashkësive të tjera fetare, përfaqësues të partive politike opozitare dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Liderët shtetërorë e kanë vizituar gjithmonë BIK-un në të kaluarën për festat e Bajramit. Më 2 maj të këtij viti, Kurti kishte qenë në vizitë për Fitër Bajram në BIK. /Demokracia.com/

Të ngjashme