Lajme
Osmani e Kurti “shtyhen” kush të shkojë në Uashington
Demokracia
16:44 | 29 Mars 2022

Share:

Njëra po insiston të shkojë në Uashington për MCC, pasi që në të kaluarën presidenti ka shkuar gjithmonë atje. Ndërsa, tjetri, po e ka shumë të nevojshme të shkojë në Uashington dhe po përpiqet ta përdorë MCC-në për ta shkelur tokën amerikane për herë të parë si kryeministër.

Është fjala për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilët ende janë duke u “shtyrë” me njëri-tjetrin për këtë vizitë në Uashington.

Demokracia.com ka mësuar se është e paqartë nëse do të shkojë presidentja apo kryeministri në Uashington për MCC (Fondin e Mijëvjeçarit), pasi që ende nuk janë marrë vesh rreth kësaj çështjeje.

“Kryeministri Kurti e ka shumë të nevojshme veç të shkojë në Amerikë, pavarësisht agjendës që mund të përgatitet për të, prandaj edhe po insiston të shkojë ai këtë radhë. Por, praktika e mëhershme është që atje ka shkuar presidenti i vendit”, ka thënë një burim brenda kabinetit të Gërvallës për Demokracia.com.

Por, pakënaqësitë e Kurtit ndaj Osmanit duket se nuk tejkalohen vetëm me një vizitë të mundshme në Uashington.

Demokracia.com ka mësuar se Kurti është i pakënaqur me Osmanin edhe për një çështje tjetër, pasi që ajo dhe ministrja Gërvalla i kanë caktuar vetë shumicën e ambasadorëve të rinj dhe ata tash më shumë po punojnë për vizita dhe agjenda jashtë vendit të Osmanit sesa të Kurtit.

“Kryeministri në shumicën e rasteve jashtë vendit po shkon me ftesa të drejtpërdrejta të qeverive, por jo me agjenda që ia bëjnë ambasadat. Ambasadat janë duke u angazhuar kryesisht vetëm për t’ia bërë presidentes vizitat dhe agjendat jashtë vendit”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.

Kurti është kryeministri i parë kosovar që edhe pas një viti të qeverisjes nuk ka shkelur në “tokën amerikane”. Ai në disa raste ka paralajmëruar vizitë në Uashington, por kjo vizitë ende s’ka ndodhur dhe nuk dihet saktësisht se kur do të ndodh.

Së fundmi Kurti e ka përmendur pranverën si stinë të mundshme për të udhëtuar përtej Oqeanit, por mbetet të shihet nëse kësaj herë ia arrin qëllimit dhe e viziton kryeqendrën botërore. /Demokracia.com/

Të ngjashme