Lajme
Osmani e Kurti këtë muaj sërish në SHBA, Shtëpia e Bardhë i mbyll dyert për ta
Demokracia
11:53 | 05 Maj 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ndonëse me agjenda deri tani të ndara, javëve të ardhshme do ta vizitojnë sërish SHBA-në.

Presidentja Vjosa Osmani, siç ka mësuar Demokracia.com, do ta vizitojë SHBA-në nga 9 deri më 11 maj. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, do ta vizitojë atë pas datës 11 maj.

Ndonëse për agjendën e presidentes Osmani atje ende nuk dihet asgjë, agjenda e Kurtit mësohet se do të jetë kryesisht e ngjeshur me takime me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Kjo vizitë e Kurtit në SHBA, siç ka mësuar Demokracia.com, do të realizohet nga mesi i këtij muaji.

Disa pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan janë duke u angazhuar edhe për krijimin e disa takimeve me ndonjë kongresist dhe senator amerikan, por pas takimit të djeshëm me presidentin serb në Berlin, Kurti pritet ta informojë Departamentin Amerikan të Shtetit edhe për rezultatet e këtij takimi.

Osmani e Kurti në fund të prillit morën pjesë në ceremoninë mortore të ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright. Por, pas ceremonisë, Kurti u kthye në Kosovë me vetëm një takim të realizuar me theks në dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarin në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Vizita e Kurtit në SHBA po vjen pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Gjermani, raporton Demokracia.com.

Kurti dje theu një premtim të kamotshëm të tij, që nuk do të takohet dhe bisedojë me Serbinë pa kërkuar falje për krimet dhe pa u zbardhur fati i mijëra shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. Kurti u takua dhe darkoi në Pallatin Borsig në Berlin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Vizitën e Kurtit në SHBA e ka paralajmëruar edhe zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu.

Në një status ku mundohej të tërhiqte vëmendjen nga takimi i shefit të tij me Vuçiqin, Kryeziu kishte publikuar fotografi nga takime të ndryshme të Kurtit, duke treguar për vizitën e Kurtit që do ta zhvillojë në mesin e këtij muaji në SHBA. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024