Lajme
Osmani e Kurti bëjnë homazhe në 22 vjetorin e masakrës në Raçak, kërkojnë drejtësi
Demokracia
10:43 | 15 Janar 2021

Share:

Në 22 vjetorin e masakrës së Reçakut, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani së bashku me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial, për të nderuar viktimat e gjenocidit serb, shkruan Demokracia.com

U.D së presidentit, Vjosa Osmani tha masakra e Raçakut është dëshmi autentike e gjenocidit serb dhe se për këto krime nuk është kurrë vonë për t’ia paraqitur botës, pasi Serbia ende ka një mendje gjenocidale.

“Masakra e Reçakut është ndër dëshmitë më autentike të gjenocidit serb në Kosovë. Në fakt është vendi ku përfundimisht u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar. Prandaj nga këtu, por edhe duke nderuar gjithë martirët dhe dëshmorët anë e kënd Kosovës duhet me zë te lartë të themi këtë të vërtetë, duke kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ishin viktima civile dhe gjithë të tjerët që rënë që ne të gëzojmë lirinë tonë”, tha ajo.

Ndërsa, ish kryeministri Albin Kurti, duke kërkuar drejtësi tha se jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët e kësaj masakre dihen, dhe se është detyrë  e jona dhe e faktorit ndërkombëtar t’i gjykojmë.

“Jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët dihen me emra në shumë raste, jo vetëm në masakrën e Reçakut dhe është detyrë e shtetit tonë, por edhe faktorëve ndërkombëtar që t’i ndjekim dhe gjykojmë e t’i dënojmë ata. Meqenëse nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa nuk ka drejtësi e cila sjell rehabilitim për viktimat dhe dënim për kriminelët”, tha ai./Demokracia.com

Të ngjashme