Lajme
Osmani bisedon me Lavrov, i kërkon ndaljen e agresionit rus në Ukrainë
Demokracia
23:00 | 30 Gusht 2023

Share:

Bujar Osmani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, dhe njehërit kryesuesi i OSBE-së, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se në bisedën me ministrin rus ka kërkuar ndalimin e agresionit dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Sot, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, zhvillova një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov. Gjatë bisedës, trajtova sfidat në rajonin e OSBE-së dhe ritheksova përkushtimin e Kryesisë së Maqedonisë së Veriut për respektimin e parimeve dhe angazhimeve themelore të OSBE-së”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë kontekst, theksova edhe një herë domosdoshmërinë e ndalimit të agresionit, tërheqjes së forcave ushtarake ruse nga Ukraina dhe respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Gjithashtu, shkëmbyem mendime edhe për çështjet më aktuale lidhur me funksionimin e OSBE-së”, ka shkruar tutje.

Të ngjashme