Lajme
Osmani bëhet realiste, kriteret e liberalizimit u plotësuan vite më parë
Demokracia
19:32 | 17 Qershor 2022

Share:

Liberalizimi i vizave për Kosovën është rikthyer në diskutim publik e politik. I gjithë interesimi për këtë çështje, u rikthye pas një deklarate të Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili tha se “liberalizimi është afër”.

Ndonëse jashtë vendit, presidentja Vjosa Osmani është deklaruar për temën që rikthehet vazhdimisht në diskutim.

Në një intervistë për Dukagjinin, Osmani nga Ohri i Maqedonisë së Veriut është parë e rezervuar, duke thënë se çështja e liberalizimit të vizave është në duart e vendeve individuale të BE-së.

Madje, si rrallëherë, ajo është bërë realiste dhe u ka dhënë kredi qeverive të kaluara, të cilat i kritikonte ashpër, duke thënë se të gjitha kriteret e liberalizimit janë plotësuar vite më parë.

“Është shumë vështirë, përderisa kjo çështje është tërësisht në vullnetin individual të shteteve anëtarë veç e veç, që përgjigjen përfundimtare për këtë ta jep Kosova. Sepse, ka shumë aspekte që merren parasysh në marrjen e një vendimi të tillë, sa i përket liberalizimit. Por, asnjëra në fakt nuk kanë të bëjnë me kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova, sepse ato janë plotësuar shumë vite më parë, e janë rikonfirmuar që një kohë të gjatë”, tha Osmani për Dukagjinin.

Presidentja Osmani ka folur edhe për Samitin e Këshillit të Evropës që mbahet më 23 qershor të këtij viti, duke thënë se mesazhi që do del nga ky samit është i rëndësishëm.

“Nuk ka kërkesa më dhe pyetje për Kosovën, në fakt çështja ka mbetur te 2-3 shtete anëtare, që vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme, pra, insistimi ynë është që të diskutohet për liberalizimin e vizave, por mos të harrojmë që vendimi për këtë liberalizim merret në një votim në format tjetër të Këshillit ku votojnë ministrat e brendshëm dhe jo në formatin që do të takohet më 23 qershor. Megjithatë, mesazhi i 23 qershorit mund të jetë shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundonte”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se përkundër përkrahjes nga Gjermania, ka edhe vende që nuk kanë përgjigje përfundimtare për liberalizimin e vizave.

“Kemi marrë përkrahjen e fuqishme dhe publike të dy shteteve si Kroacia dhe Sllovenia, shtetet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, si shtetet më të fuqishme të BE-së, jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shtetet anëtare por ka vende të tjera që akoma nuk jepin përgjigjen përfundimtare çfarë kahje do të japin’’, ka thënë presidentja Osmani.

Përndryshe, një deklaratë e Lajçakut ka rikthyer euforinë e kosovarëve rreth fundit të izolimit.

Shefi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se përkundër nuk mund të jep datë të saktë, liberalizimi i vizave është afër.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, ka thënë Lajçak.

Presidentja Osmani po qëndron në “Forumin e Prespës për Dialog” që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Të ngjashme