Lajme
Osmani assesi të dalë nga hija e Kurtit, arsyeton vendimin për përgjysmimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Demokracia
20:11 | 25 Nëntor 2022

Share:

Thirrjet po bëhen për asnjë më shumë, ndërkohë që sot një grua vdiq pas vrasjes makabre nga i dyshuari, bashkëshorti i saj. Hapja e fushatës globale të 16 ditëve të aktivizimit e gjeti Kosovën edhe me një viktimë të dhunës. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk duhet të ketë më tolerime për dhunuesit e as për gjyqtarët e prokurorët.

Fjalimi i saj, ai i ministres së Drejtësisë dhe i Avokatit të Popullit nisën me ngushëllimet për familjen e thirrjen për drejtësi nga ana e autoriteteve.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se rasti i fundit i vrasjes së një gruaje mëngjesin e sotëm, ka tronditur shoqërinë se fenomeni i dhunës mbi baza gjinore mbetet prezentë në familje.

“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm, në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre, duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetët jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, ka thënë ajo.

Madje, Osmani e ka quajtur pandemi dhunën mbi baza gjinore, ku tha se kjo mbetet një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut.

“Nuk mund të ketë tolerancë më për gjykatës e prokurorë neglizhues, sepse përballë krimit nuk mund të ketë kompromis e as rrethana lehtësuese, nuk mund të ketë mirëkuptim për dhunuesit. Sepse, për dhunë mirëkuptim nuk ka. Nuk do të pranojmë më argumente për mungesë kapacitetesh, sepse përballë një emergjence nacionale, siç është dhuna në baza gjinore, duhet luftuar me çdo resurs e çdo kapacitet që e kemi në dispozicion”, ka shtuar Osmani.

Më tej në hapjen e fushatës globale, presidentja Osmani tha se luftimi i dhunës mbi baza gjinore do të jetë në krye të agjendës së Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut pranë zyrës së saj.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha viktimave që të raportojnë rastet e dhunës, por për këtë ka thënë se institucionet duhet t’u ofrojnë atyre siguri.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar drejtësi për rastin e vrasjes së gruas nga Prishtina.

“Nuk mund të vazhdoj fjalën time pa shprehur ngushëllimet e mia për familjen e gruas së vrarë sot në Prishtinë. Është një grua e vrarë nga bashkëshorti, edhe një rast që na tronditi të gjithëve. Kjo na bën që secili prej nesh në rolet dhe përgjegjësitë që kemi të vazhdojmë punën edhe më shumë, edhe më fort që raste të tilla të mos dëgjojmë kurrë më, as edhe një më shumë. Ndërsa, prej këtu kërkojmë drejtësi edhe për gruan e vrarë sot në Prishtinë, sikurse për të gjitha viktimat e tjera”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë në ndjekjen e rasteve të dhunës.

“Kundër dhunës ndaj grave duhet të jemi të gjithë njëzëri, nuk mund të lejojmë dhunën para syve tanë. Nuk mund të lejojmë të shkelën të drejtat e vajzave dhe grave dhe të rrezikohet drejtësia. Institucionet ekzistojnë për qytetarët dhe janë garantues të funksionimit të një shoqërie të civilizuar. Institucionet e drejtësisë, ndonëse fatkeqësisht nuk i kemi sonte këtu, kanë rol esencial në jetën qytetare dhe duhet të veprojnë duke adresuar secilin rast dhe atë me seriozitet të plotë. Derisa ta bëjmë këtë do të vazhdojmë të flasim pa mbarim dhe zëshëm me qëllim te ndërgjegjësimit të gjithmbarshëm qytetar për të dënuar dhe kundërshtuar dhunën ndaj tjetrit dhe jo vetëm në kuadër të kësaj kampanje”, ka thënë Haxhiu.

Pasditen e së premtes, Haxhiu ka thënë se në rast se institucionet nuk veprojnë, shteti dështon së ofruari mbrojtje për viktimat.

Avokati i Popullit u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë detajet e vrasjes së gruas nga Prishtina.

“Në këtë vit ndodhën shumë raste dhune ndaj vajzave dhe grave, shqetësuese ka qenë numri i madh i rasteve të dhunimeve seksuale të vajzave dhe atyre të mitura. Gratë dhe vajzat në Kosovë po ballafaqohen me dhunë në baza gjinore, kjo rrit përgjegjësinë institucionale për të ndryshuar këtë realitet të gjithë ne kemi përgjegjësi me vepruar në këtë gjendje të rëndë , të gjithë pa dallim. Ky tubim dhe ato që do të mbahen në ditët në vijim duhet të ndikojnë që shoqëria dhe institucionet të reflektojnë dhe reagojnë kundër diskriminimit dhe dhunës ndaj gruas”, ka përfunduar Naim Qelaj.

Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, do të përfundojë me 10 dhjetor.

Të ngjashme