Lajme
Osmani: Aleatët ma kanë konfirmuar se pas sulmit terrorist qëndron Vuçiç’i
Demokracia
17:15 | 18 Shkurt 2024

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se i është konfirmuar edhe nga aleatët se pas sulmit terrorist të 24 shtator në Banjë të Zveçanit, qëndron presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një intervistë për median arabe “Al Aan”, ku ka folur për çështje të ndryshme nëpër të cilat është duke kaluar Kosova aktualisht.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon drejtëpërdrejtë tek Vuçiç-i. Pra, s’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra”, deklaroi Osmani.

“Të gjithë e dinë”, insistoi ajo, “kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë”.

Madje, e para vendit pohoi se ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiç-it direkt, “se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit”.

“Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, shtoi.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë”, theksoi ai, duke shtuar se “historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”.

Më 24 shtator, një grup terrorist i prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i afërt i presidentit serb Vuçiç – sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Kosova, për këtë sulm terrorist, ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, e cila nuk është distancuar nga kjo ngjarje, madje ka shpallur ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, duke kërkuar bashkëpunimin e Serbisë pa kushte në këtë cështje.

INTERPOL, me kërkesë të Kosovës, ka lëshuar fletarrest ndaj Radojiçiç-it dhe personave të tjerë që janë identifikuar që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjë, e të cilët gjendet të lirë në Serbi.

Të ngjashme