Kërkesa për shfuqizimin e një Udhëzimi Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës ka polarizuar opinionin kosovar.
Politikanë, hoxhallarë e qytetarë të thjeshtë janë përfshirë në debatin pro dhe kundër lejimit të shamisë në institucionet arsimore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Hoxha i njohur nga Drenica, Osman Musliu ka thënë se është e drejtë e njeriut që ta respektojnë fenë e tij.
Sipas Musliut nëse vajzat kanë vullnet që të mbulohen atë nuk mund t’ua ndalojë askush, por edhe nëse nuk duan nuk mund t’ua imponojë askush.
Ai thotë se femra në islam konsiderohet e pjekur në momentin që i fillojnë mujoret.
“Është e drejtë dhe liri e njeriu me respektu fenë e vetë. Edhe ai që i beson lopës, unë jam për mos me ia sha lopën, për arsye se e drejtë e njeriut është me besu çka të don. Edhe veshja, është e vërtetë që është normë fetare dhe s’mund e mohon kurrkush, veç naj hoxhë laper dhe naj hoxhe që është pakurrizor, për arsye se shamia edhe veshja është islame. Unë jam për islamizim dhe shqiptarët duhet të jenë mysliman, por jo për arabizim, s’kemi nevojë me pas as kulturë arabe, as turke, as gjermane, as amerikane sepse e kemi kulturën dhe traditën tonë shqiptare. Jemi myslimanë, ka edhe katolikë, ka edhe protestantë”, ka thënë Musliu për Demokracia.com.
Sipas tij nëse vajzat duan të mbulohen kjo është e drejtë e tyre.
“Mosha madhore është në momentin që femrës i vijnë ciklet mujore, ajo është e pjekur. Fetarisht në momentin që femra hyn në cikle të veta mujore është e rritur edhe ajo vendos vetë, nuk vendos as baba, as burrri, as vëllai, as kurrkush. Nëse ajo është për me qit shaminë, vendosë vetë. Imponime nuk ka. Ata që duan të ia imponojnë veshjen një femre ose një djali ose të dikujt, ata janë maniakë. Është e drejtë e njeriut dhe pikë, prandaj nuk ka bir nane që mundet me ia cenu të drejtën dikujt. Vajza ime nëse vendos me qit shaminë, kush është ai bir nane që guxon me ma qit vajzën prej shkollës. Ajo është cenim i të drejtës së njeriut, edhe unë nëse s’e mbroj të drejtën e vajzës time nuk e mbroj as veten”, ka thënë ai.
Musliu ka theksuar se nëse është e drejtë të lejohet martesa ndërmjet njerëzve të së njëjtës gjini atëherë përse të ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla. /Demorkacia.com/
LEXONI EDHE: