Lajme
Oslo do të presë takimin ndërkombëtar për zgjidhjen me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën
Demokracia
18:00 | 13 Janar 2025

Share:

Përfaqësues nga më shumë se 80 vende dhe organizata pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje, por asnjë pjesëmarrje zyrtare izraelite nuk është njoftuar.

Norvegjia do të presë takimin e tretë të një aleance ndërkombëtare që synon promovimin e një zgjidhjeje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme norvegjeze.

Në Oslo priten kryeministri palestinez, Mohammed Mustafa, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, dhe i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Norvegjezi Tor Wennesland.

Ky do të jetë takimi i tretë i “Aleancës Ndërkombëtare për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy shtete”, krijimi i së cilës u njoftua shtatorin e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

“Ndërsa ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund luftës (në Gaza), duhet të punojmë gjithashtu për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit që garanton vetëvendosje, siguri dhe drejtësi si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët”, tha ministri i jashtëm norvegjez Espen Barth Eide.

Ndërsa përfaqësues nga më shumë se 80 vende dhe organizata pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje, asnjë pjesëmarrje zyrtare izraelite nuk është njoftuar.

Norvegjia, së bashku me Spanjën dhe Irlandën – më vonë iu bashkua Sllovenia – njohën shtetin e Palestinës majin e kaluar, duke shkaktuar zemërimin e autoriteteve izraelite.

E shkaktuar nga sulmet e paprecedentë të lëvizjes palestineze Hamas në tokën izraelite më 7 tetor 2023, lufta në Gaza ka rindezur diskutimet për një zgjidhje me dy shtete.

Analistët besojnë se ky synim është më i largët se kurrë, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i mbështetur fuqishëm nga presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, i cili kundërshton vendosmërisht krijimin e një shteti palestinez.

Dy takimet e para të kësaj aleance ndërkombëtare u zhvilluan në fund të tetorit në Riad, pastaj në fund të nëntorit në Bruksel.

Të ngjashme