Lajme
OSHP zgjeron listën e zezë me kompani të diskualifikuara, por një kompani në Fushë Kosovë merr kontratë
Demokracia
12:36 | 01 Nëntor 2024

Share:

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur gjithashtu si “Gjykata e tenderëve”, kohët e fundit ka zgjeruar “listën e zezë” me disa kompani që janë diskualifikuar nga aktivitetet e prokurimit publik për periudha të caktuara kohore. Demokracia.com ka zbuluar se pavarësisht kësaj, një nga këto kompani është rekomanduar për kontratë nga një komunë e Kosovës. Konkretisht, bëhet fjalë për kompaninë “Atom Med”, e cila është diskualifikuar nga aktivitetet e prokurimit publik për shkak të përfshirjes në dorëzim dokumentesh të dyshimta.

Kompania “Atom Med” është përfshirë në “listën e zezë” të OSHP-së më 25 tetor 2024, duke u diskualifikuar për pjesëmarrje në tenderë për një periudhë prej tre muajsh, nga data 25 tetor 2024 deri më 24 janar 2025.

Megjithatë, Komuna e Fushë Kosovës, e udhëhequr nga kryetari Burim Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka rekomanduar këtë kompani për një kontratë furnizimi me material laboratorik për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me vlerë prej 286,940.00 euro.

Sipas dosjes së tenderit të komunës, një nga kërkesat e dokumentacionit ka qenë autorizimi nga prodhuesi për pjesëmarrje ose autorizimi nga përfaqësuesi i autorizuar i tij. Nëse autorizimi është dhënë nga një përfaqësues (distributor), është kërkuar gjithashtu një vërtetim nga vetë prodhuesi. Por, faktikisht, vendimi për përjashtimin e “Atom Med” nga pjesëmarrja në prokurim është marrë vetëm një ditë pas rekomandimit të kësaj kompanie për kontratë, pra më 25 tetor.

Procesi për përjashtimin e “Atom Med” nisi nga kërkesa e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) që më 2 shkurt 2024, bazuar në pretendimet se kompania kishte dorëzuar certifikatë CE të falsifikuar për një tender me vlerë mbi gjysmëmilioni euro për furnizim me pajisje mjekësore. Sipas vendimit të OSHP-së, SHSKUK-ja kishte pranuar informata se certifikata CE me numër 7003FS06F, e paraqitur nga “Atom Med” në tenderin për pajisje mjekësore ishte e falsifikuar. Trupa certifikuese MedCert, e kontaktuar për konfirmimin e origjinalitetit të certifikatës, ka deklaruar se dokumenti i lëshuar nga kompania nuk ishte autentik dhe nuk është prodhuar nga ata.

Pas shqyrtimit të provave, përfshirë korrespondencat e dërguara nga prodhuesi Yesen Med – Kinë, OSHP-ja e diskualifikoi kompaninë për tre muaj. Vendimi për përjashtimin nga pjesëmarrja në tenderë vërtetoi ndërhyrjen në certifikatën CE, të cilën operatori ekonomik kishte përdorur për të fituar kontratën e prokurimit, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 65 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP). Në deklaratën nën betim të dorëzuar në këtë tender, kompania kishte garantuar se plotësonte kërkesat e përshtatshmërisë për të marrë pjesë, por në realitet dështoi t’i respektonte këto kritere.

Vendimi për pezullim u nënshkrua nga OSHP-ja pas tetë muajsh shqyrtim, më 25 tetor 2024. Megjithatë, kompania kishte marrë rekomandimin për kontratë nga Komuna e Fushë Kosovës një ditë më parë, më 24 tetor, ndërsa publikimi zyrtar për dhënie të kontratës nga komuna është bërë më 31 tetor.

Një çështje e paqartë mbetet fakti nëse kompania “Atom Med” ka përdorur të njëjtën certifikatë të kontestuar edhe në tenderin e Komunës së Fushë Kosovës. Dosja e këtij tenderi kishte specifikuar kërkesën për autorizim nga prodhuesi për pjesëmarrje dhe nuk dihet ende nëse komuna ka bërë verifikime mbi autenticitetin e dokumentacionit të dorëzuar. Ky mbetet një detaj i rëndësishëm për t’u sqaruar, sidomos duke marrë parasysh përjashtimin e kompanisë për shkak të përdorimit të një certifikate të falsifikuar në tenderin e SHSKUK-së.

Ndërkohë, OSHP-ja ka detyrimin që të sigurohet se operatorët ekonomikë, të cilët dorëzojnë dokumente të rreme ose të falsifikuara, të mos përfitojnë nga kontratat publike dhe të sanksionohen sipas Ligjit për Prokurimin Publik, i cili përcakton deri një vit përjashtim nga tenderët. Në rastin e “Atom Med”, përjashtimi u kufizua në vetëm tre muaj, një masë që ngre pikëpyetje mbi mjaftueshmërinë e sanksioneve për operatorët që shkelin rregullat e prokurimit publik.

Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i është dhënë kompetenca që të krijojë një “Listë të zezë” të personave dhe operatorëve ekonomikë, të cilët kanë edhe ndalesa për të aplikuar dhe fituar një tender publik. Megjithatë, problemi shfaqet edhe tek vetë ligji pasi që OSHP-ja nuk mund të shqyrtojë apo diskualifikojë operatorët ekonomikë nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik sipas detyrës zyrtare, pa pasur kërkesë nga ana e institucionit publik/autoriteti kontraktues.

Sa efektive është Lista e zezë? Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, OSHP ka autoritetin që të vendosë një operator ekonomik në Listën e zezë dhe për një (1) vit ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja në çfarëdo procesi të prokurimit publik. Edhe pse ky mjet parandalues ekziston, ndalesa e tillë nuk është treguar edhe aq efikase në praktikë.

Duke filluar prej kornizës ligjore, ekzistojnë mangësi të mëdha në Ligjin për Prokurimin Publik që përcaktojnë rastet kur një operator ekonomik vendoset në Listën e zezë. Mes tjerash, papërgjegjësia e operatorit ekonomik, sikurse vonesat e ndryshme dhe mospërfundimi i punës në bazë të kontratës, duhet të jenë po ashtu raste kur një operator do të duhej të ishte pjesë e listës së zezë. Së dyti, përcaktimi i periudhës njëvjeçare nuk është real. Kjo për shkak që mund të ketë dhe ka raste kur operatorët ekonomikë përsërisin të njëjtat shkelje, pasi që kjo periudhë të përfundojë. Për ta bërë listën më efikase dhe për të adresuar raste të recidivizmit në prokurimin publik, është e nevojshme të rishikohen dhe përmirësohen mekanizmat ekzistues të diskualifikimit. Përcaktimi i periudhës së diskualifikimit në varësi të seriozitetit të shkeljes, monitorimi i rregullt i aktiviteteve të operatorëve ekonomikë, si dhe sanksione më të rënda për recidivistët janë hapa të rëndësishëm për të forcuar integritetin dhe transparencën në prokurim publik, në mënyrë që shpenzimi i parasë publike të arrijë qëllimet e synuara. /Demokracia.com/

Të ngjashme