Lajme
OSHP-ja vlerëson se MSH-ja shkeli ligjin në dy raste, por nuk e obligon t’i anulojë tenderët
Demokracia
20:02 | 25 Dhjetor 2023

Share:

Brenda një dite, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik i ka marrë dy vendime për dy tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ka konsideruar që në të dy herët ministria, ka shkelur ligjin kur ka anuluar tenderët, por në të dy rastet u ka rekomanduar kompanive t’u drejtohen gjykatave, ndonëse vetë ka një rol të tillë për tenderët.

Dy vendime të pazakonshme, brenda një dite i ka marrë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Të dy vendimet kanë të bëjnë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka vlerësuar se operatorët kanë të drejtë në ankesat e tyre për shkelje në Ministrinë e Shëndetësisë, ani pse konsiderohet si gjykatë e tenderëve e që vendimet e saj janë obliguese, nuk e ka detyruar të veprojë për asnjë veprim Ministrinë e Shëndetësisë. Thjeshtë ka rekomanduar kompanitë që të ankohen në gjykatë “rreth anulimit të tenderit për shkak të veprimeve në kundërshtim me ligjin”.

Njëri vendim i OSHP-së ka të bëjë me tenderin “Furnizim me pajisje për laboratorët mikrobiologjik në IKSHPK”. Vendimi është marrë më 13 dhjetor dhe ankesa është konsideruar e bazuar.

Ministria e Shëndetësisë e pati anuluar këtë tender me arsyetimin se Njësia Kërkuese ka përshtatur kriteret e tenderit për një kompani të caktuar.

OSHP-ja ka vlerësuar se MSH-ja jashtëligjshëm e ka bërë një gjë të tillë, pasi që ky institucion është dashur të kujdesej më herët të parandalonte përshtatjen e kritereve, e jo në mes të procesit.

“Autoriteti Kontraktues është i obliguar që konform dispozitave ligjore ta bëjë ligjshmërinë e secilit veprim dhe këto të verifikohen para inicimit të aktivitetit të prokurimit por edhe në fazat e më të vonshme. Ndërsa, jo në fazën kur publikohet njoftimi për dhënie të kontratës, kur pritet të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës nga palët”, thuhet në vendim.

Me kërkesë të vet Ministrisë së Shëndetësisë, Banka Botërore pati analizuar tenderin “Servisimi i pajisjeve që lidhën me Sistemin Informativ Shëndetësor” dhe u konstatua se ka pasur përpjekje që të bëhet kurdisje. Pasi pranoi ekspertizën, ministria anuloi tenderin 700 mijë eurosh.

Edhe në këtë rast, OSHP-ja konstatoi se tenderi është anuluar jashtëligjshëm por nuk e ka obliguar për asnjë veprim, veçse e ka këshilluar kompaninë që t’i drejtohet gjykatës. Arsyetimi i vendimit është identik sikurse vendimi tjetër.

“Autoriteti Kontraktues është i obliguar që konform dispozitave ligjore ta bëjë ligjshmërinë e secilit veprim dhe këto të verifikohen para inicimit të aktivitetit të prokurimit por edhe në fazat e më të vonshme. Ndërsa, jo në fazën kur publikohet njoftimi për dhënie të kontratës kur pritet të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës nga palët”, thuhet në vendim.

Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në organizatën INPO, tha se Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur të drejtë t’i anulonte tenderët në këtë fazë, por edhe OSHP-ja nuk mund t’i orientojë kompanitë drejt gjykatës, por duhet të vendosë vetë.

“Në rastin konkret, MSH-ja pavarësisht që arsyetimin mund ta ketë të bazuar ligjërisht e ka të paargumentuar apo të pabazuar anulimin e prokurimit, rrjedhimisht këto vendime të OSHP-së ishte dashur që të vendosin në atë formë që t’i japin epilog lëndës, nëse anulimi ka qenë i ligjshëm apo i paligjshëm e jo të udhëzohen direkt palët në gjykatë”, thekson Nrecaj.

OSHP-ja e Ministria e Shëndetësisë në dy vitet e fundit, vazhdimisht kanë pasur polemika, madje edhe publike.

 

Të ngjashme