Lajme
OSHP-ja jotransparente, publiku nuk mund t’i shoh seancat e saj ‘LIVE’
Demokracia
12:01 | 28 Tetor 2023

Share:

Në vitin 2019, USAID ndihmoi Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, që të zhvillonte një plan përmirësimi, duke u fokusuar në avancimet e nevojshme të transparencës. “Gjykatës së tenderëve”, USAID-i ia mundësoi edhe transmetimin e drejtpërdrejt “Livestream”, të seancave në ankesat që parashtrojnë kompanitë në këtë organ.

Projekti ishte inauguruar në prani të mediave dhe ishte bërë i qasshëm për të gjithë të interesuarit. Mjaftonte një klikim në youtube ose në faqen e OSHP-së, shkruan Demokracia.com.

Por, pos një transmetimi ‘LIVE’ të disa seancave, pastaj nuk është transmetuar më asnjë seancë.

Lidhur me këtë projekt, USAID-i kishte trajnuar dhe pajisur stafin e OSHP-së për transmetimin e drejtpërdrejt të sesioneve përmes faqes së internetit të OSHP-së, duke tentuar të përmirësojë kështu më tej transparencën e këtij institucioni.

Blerim Dina, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, gjatë inaugurimit të projektit ishte shprehur se projekti do të shpërfaq edhe vendimet e OSHP-së, të cilat po kontrollohen kohëve të fundit shumë nga policia apo pothuajse gati sa herë që OSHP-ja nxjerrin një vendim.

“Kjo është ngjarje shumë e madhe për OSHP-në në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies, në trajtimin e ankesave nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë për qytetarët e Kosovës. Kjo do të rris transparencën, jo vetëm në raport me operatorët ekonomikë, por edhe në raport me publikun dhe qytetarin. Përmes lansimit të këtij sistemi, ne synojmë edhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe publikut lidhur me punën dhe mënyrën sesi funksionon Organi Shqyrtues i Prokurimit”, kishte thënë ndër të tjera Dina.

Ky projekt ishte mbështetur edhe nga organizatat e shoqërisë civile.

Më e keqja është se Bordi aktual në të shumtën e herëve nuk i fton në seancë as palët e involvuara në proces, lëre më që aty të jetë prezente edhe shoqëria civile, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Edhe pse gjatë mbajtjes së seancës mbahet edhe procesverbal me shkrim, operatori ekonomik ankues ka mundësi që seancën pas mbarimit ta shoh edhe përmes platformës Youtube, mirëpo ata duhet ta paraqesin një kërkesë me shkrim në OShP, për të marrë linkun e transmetimit. Madje, në disa raste, seancat e regjistruara janë vetëm me video, pa audio.

Pos kësaj, një aspekt tjetër thelbësor i sigurimit të transparencës është sigurimi i qasjes së publikut në seancat dëgjimore nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta. Prapë, OShP-ja e justifikoi këtë praktikë duke shprehur shqetësime rreth keqpërdorimeve potenciale nga palët e treta. Si rezultat, metoda e vetme për të pasur qasje në transmetime është duke i parashtruar kërkesë zyrtare OShP-së, e cila më pas e përcjell linkun e transmetimit, që ndonjëherë mund të mos këtë zë fare.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) është organ i pavarur administrativ, i cili është përgjegjës për adresimin e ankesave në prokurimin publik nga kompanitë e sektorit privat (të njohura si Operatorë Ekonomikë), të cilët kanë dorëzuar oferta në përgjigje të tenderëve të prokurimit. Kur një operator ekonomik parashtron një ankesë në formë të shkruar lidhur me vendimin e marrë nga autoriteti kontraktues, OShP-ja ka mandat të shqyrtojë pretendimet ankimore. Procesi i shqyrtimit kryhet brenda afateve të përcaktuara me ligj për të siguruar zgjidhje në kohë. Pas përfundimit të shqyrtimit, OShP nxjerrë një vendim me shkrim që adreson ankesën specifike (pretendimin e palës) dhe aktivitetin shoqërues të prokurimit.

Vendimet e OShP-së janë obligative për të gjitha autoritetet kontraktuese që marrin pjesë në procedura të prokurimit. Këtu përfshihen: ministritë, komunat, ndërmarrjet publike dhe çdo institucion tjetër, i cili kryen këto procedura. Pasi OShP-ja nxjerr një vendim, palët kontraktuese duhet ta respektojnë/pranojnë atë menjëherë. Nëse një palë nuk pajtohet me vendimin e OShP-së, ato mund t’i drejtohen gjykatës për rishqyrtim. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se ekzekutimi i vendimeve të OShP-së nuk shtyhet përgjatë procesit të shqyrtimit nga gjykata. Gjithashtu, palët e pakënaqura e kanë të drejtën të kërkojnë dëmin apo fitimin e humbur siç e parasheh edhe Ligji për Prokurimin Publik (LPP), neni 1191. OShP-ja ka mandat nga Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë edhe nga Ligji për Partneritetin Publiko-Privat (neni 46)3 , për të trajtuar ankesat në përputhje me këto ligje. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme