Lajme
Organizatori i “Sunny Hill” e fajëson Qeverinë Kurti për dështimin e festivalit
Demokracia
20:53 | 14 Qershor 2022

Share:

Alban Kastrati organizator i festivalit “Sanny Hill”, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti për dështimin e mbajtjes së këtij festivali në Prishtinë.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kastrati ka thënë se për shkak të ndërhyrjeve dhe kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën për përcaktimin e një hapësire publike për festivalin “Sunny Hill”, i ka detyruar që të marrin vendim që ky festival këtë vit të mbahet në Tiranë.

“Të dëshpëruar, këtë vendim jemi detyruar ta marrim për shkak të vonesave të shumta – deri në rrezikim të këtij edicioni të festivalit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërhyrjeve e kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën tonë për përcaktimin e një hapësire publike për Sunny Hill Festival. Kjo vonesë po vazhdon edhe sot, përkundër faktit se Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga një edicion është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka shkruar ndër të tjerash Kastrati.

Reagimi i plotë i Kastratit, pa ndërhyrje:

Sunny Hill Festival këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë. Edicioni i këtij viti që organizohet më 4,5,6 dhe 7 gusht 2022, do të zhvendoset në Tiranë.

Të dëshpëruar, këtë vendim jemi detyruar ta marrim për shkak të vonesave të shumta – deri në rrezikim të këtij edicioni të festivalit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërhyrjeve e kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën tonë për përcaktimin e një hapësire publike për Sunny Hill Festival.

Kjo vonesë po vazhdon edhe sot, përkundër faktit se Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga një edicion është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Pse Sunny Hill ka kërkuar hapësirë të dedikuar për festivalin?

Nevoja për këtë hapësirë përkon me pamundësinë që festivali të vazhdojë të mbahet në Parkun e Gërmisë por edhe rritjen masive të festivalit, i cili ka potencial të bëhet ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropën Juglindore, duke e bërë Prishtinën destinacion për turizëm kulturor nga e gjithë bota derisa ndikimi ekonomik është i dukshëm dhe me efekt të menjëhershëm dhe me potencial te rritjes masive në vitet në vijim.

Toka e papërdorur e Komunës do të bëhej PARK PUBLIK, me qasje të hapur për të gjithë qytetarët tanë…

Plani është që hapësirën aktuale (e cila është tokë djerrinë dhe e papërdorshme sot) festivali ta shndërrojë në PARK PUBLIK me qasje të hapur nga të gjithë qytetarët, gjatë gjithë vitit, përveç ditëve të nevojshme për përgatitje dhe mbajtje të festivalit.

Për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara, ky opsion më nuk është i mundshëm, dhe Sunny Hill Festival mund të rikthehet në Prishtinë në vitet e ardhshme, kur mbështetja dhe përgatitjet për një edicion si ky i Tiranës që po bëhet, ndodhë edhe prej institucioneve në Prishtinë.

Ndjejmë shumë keqardhje për dhjetëra mijëra pjesëmarrës që tashmë i kanë blerë biletat për Sunny Hill Festival 2022 në Prishtinë. Natyrisht, biletat e njëjta do të vlejnë edhe për Sunny Hill Festival 2022 në Tiranë, ndërsa të gjithë ata që nuk mund të jenë fizikisht në Tiranë më 4,5,6 dhe 7 gusht, prej dates 1 deri më 15 korrik 2022 do të mund të aplikojnë dhe të kompensohen me shumën e njëjtë të parave dhe biletat e blera (udhëzimët e sakta për kompensim do të bëhen në njoftimet e radhës).

I mbesim përgjithmonë mirënjohës mbështetësve të shumtë të festivalit, partnerëve, dhe donatorëve, si dhe gjithë vullnetarëve e miqve të festivalit tonë, të cilin do të mundohemi ta rikthejmë në Prishtinë, në afatin sa më të shkurtër kohor.

Falënderim dhe mirënjohje të veçantë duhet t’i japim edhe Kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe Presidentes së Kosovës, të cilët kanë bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për ta mbajtur Festivalin Sunny Hill në Prishtinë.

Shihemi në Sunny Hill Festival Tirana 2022 ❤️❤️❤️. /Demokracia.com/

Të ngjashme