“Organizatori i protestës në Tetovë është i vetmi nga pesë të paraburgosurit i cili ka njoftuar autoritetet e Burgut të Shutkës se ka filluar grevën e urisë në shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve. Gjendja e tij shëndetësore, siç njoftojnë nga burgu, për momentin është e mirë. Të pesë të paraburgosurit janë vendosur në dhoma të veçanta për shkak të masës izolimit për mbrojtje nga virusi.”
SPB – Tetovë
“Prokuroria në bashkëpunim me policinë punon në identifikimin e personave që dyshohet se gjatë protestës kanë kryer vepër penale. Për momentin nuk ka persona të tjerë që merren në pyetje. Nuk ka pasur arrestime të tjera.”
Nga policia e Tetovës njoftojnë se gjendja e policëve të lënduar gjatë protestës është e mirë. Asnjëri prej tyre s’ka pësuar lëndime serioze.
Të premten në Tetovë u protestua ndaj heshtjes së organeve hetuese për ngjarjen tragjike në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Protestuesit kërkuan dorëheqje politike dhe përgjegjësi. Situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish u konfrontuan me policinë e cila pengoi qasjen e tyre te selia e BDI-së.