Lajme
Organizatorët e “Mirëdita, dobar dan”: Shteti në anën e huliganëve
Demokracia
21:26 | 27 Qershor 2024

Share:

Urdhri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, thanë organizatorët e kësaj ngjarjeje, që përfaqësojnë skenën artistike bashkëkohore dhe kulturore të Kosovës.

“Duke ndaluar festivalin, MPB-ja dhe Qeveria e Serbisë treguan edhe një herë se liria e tubimit vlen vetëm për grupet e huliganëve, por jo për pjesëmarrësit dhe të ftuarit e festivalit”, thanë organizatorët Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativa Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.

Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.

Organizatorët thanë se përfaqësuesit e institucioneve shtetërore janë përgjegjësit kryesorë e krijimit të një atmosfere negative në publik karshi festivalit, duke theksuar se ndër ta ishin ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq, ajo e Kujdesit familjar, Millica Gjurgjeviq-Stamenkovski, zëvendëskryeministri Alleksandar Vullin, kryetari i Beogradit, Alleksandar Shapiq dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq.

“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore ishin të parët që nxitën urrejtje, jotolerancë dhe armiqësi, që çuan në ndalimin e festivalit”, thanë organizatorët.

Sipas tyre, armiku i shtetit nuk është një festival i vetëm, “por huliganët, në anën e të cilëve është vënë shteti, në vend se të kryejë detyrat e tij bazike, që janë sigurimi i lirive dhe të drejtave të garantuara me ligj dhe të dënohen të gjithë ata që shkelin liritë dhe të drejtat e qytetarëve”.

Organizatorët thanë se huliganët që u mblodhën afër sheshit Dorqol, ku ishte paraparë të hapej festivali, “kanë arritur të vendosin një dry në hyrjen e pasme dhe praktikisht po mbajnë peng njerëzit para syve të pjesëtarëve të MPB-së, të cilët thonë se nuk do të bëjnë asgjë”.

“Një grup prej 150 huliganësh kanë bllokuar hyrjen në shesh në mënyrë që të ftuarit dhe organizatorët të mos mund të hyjnë, por as punonjësit në këtë zonë. MPB ka dërguar numër të vogël të policëve dhe nuk ka dërguar përforcime, duke lënë përshtypjen se nuk ka vullnet që festivali të mbahet”, thanë organizatorët.

Organizatorët po ashtu thanë se një autobus që bartte pjesëmarrës, që udhëtuan nga Kosova, u ndalua në Bubanj Potok – në hyrje të Beogradit – dhe autobusit iu ndalua hyrja në kryeqytetin serb dhe organizatorët u urdhëruan që autobusi të kthehej në Kosovë, i shoqëruar nga policia. Kjo ndodhi rreth orës 14:30.

“Kjo ndalesë paraqet shkelje të të drejtës për tubim, të drejtës për liri të lëvizjes dhe atë të shprehjes, por po ashtu edhe përfundimin e iluzionit se kjo Qeveri dëshiron zgjidhje paqësore me Kosovën, por paraqet po ashtu edhe fundin e integrimit evropian të Serbisë”, thanë organizatorët.

Çfarë tha policia?

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, njoftoi se Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.

“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.

Daçiq tha se nuk do të lejohen tubime në këtë zonë.

“Organizatorët janë informuar për këtë urdhër”, tha Daçiq.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol dhe disa orë para hapjes, një grup i madh i djathtistëve u mblodhën në hyrje të zonës, duke valëvitur flamuj serbë

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Në sheshin Dorqol, ku mbahet festivali dhe i cili është i mbyllur për trafik, janë parë një numër i vogël i policëve.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar të hyjë në hapësirën ku festivali pritet të nisë sonte nga protestuesit që po qëndrojnë në hyrje të kësaj zone.

Reagimet për ndalimin

Ministrja për Kujdes Familjar e Serbisë, njëherësh kryetare e partisë ultra të djathtë Zavetniqi, Millica Gjurgjeviq-Stamenkovski, mirëpriti vendimin për ndalimin e mbajtjes së festivalit, duke deklaruar se populli serb “kanë dinjitetin e tyre dhe kanë vijë të qartë ndarëse mes tolerancës dhe mazokizmit”.

“Mirëdita, natën e mirë. Ky komb ka dinjitetin e vet dhe vijë të qartë ndarëse mes tolerancës dhe mazokizmit. Ne respektojmë të tjerët”, tha ajo përmes një postimi në Instagram.

Ndërkaq, partia opozitare Fronti i Majtë i Gjelbër (ZLF) dënoi ndalimin e festivalit dhe kërkoi që autoritetet të tërheqin këtë vendim. Kjo parti tha se festivali është një ngjarje që promovon paqen dhe këmbimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është e pakuptueshme që 25 vjet pas konfliktit, Serbia ende nuk është në gjendje të pranojë ide progresive që të diskutohet për tolerancë dhe të pranojë opinione të ndryshme. Ky ndalim është një përpjekje për të heshtur zërat disidentë”, tha kjo parti.

Lëvizja opozitare e Qytetarëve të Lirë (PSG) tha se kërkesa e Ministrisë së Brendshme dhe e Ivica Daçiqit për ndalimin e festivalit “është një urdhër i turpshëm”.

Kjo lëvizje tha se Qeveria e Serbisë është drejtpërdrejt përgjegjëse për pasigurinë e pjesëmarrësve, duke shtuar se ministrat dhe kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiq, bënë “deklarata të papranueshme përmes së cilave u vunë në pikëpyetje motivet e organizatorëve dhe i akuzuan ata se po tradhtojnë interesat kombëtare në një formë të keqe neofashiste”.

“Liria e tubimit është e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe duke urdhëruar ndalimin e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’, Ivica Daçiq, si përfaqësues i regjimit SNS-SPS, tregon se shteti rreshtohet me nacionalitët të cilët janë kundër pajtimit rajonal”, tha PSG.

Anëtari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës dhe avokati, Aleksandar Olenik, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se Serbia “zyrtarisht është në duart e huliganëve”.

Fondi për të Drejtën Humanitare i bëri thirrje ministrit Daçiq që në mënyrë urgjente të tërheqë vendimin për ndalimin e festivalit dhe të sigurojë që ai të mbahet në mënyrë paqësore.

“Me vendimin për të anuluar festivalin, institucionet e Serbisë kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për politika etnonacionaliste që bëjnë të pamundur krijimin e besimit pas konfliktit, i cili është i rëndësishëm në rajon”, u tha në reagim.

Që nga themelimi i tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.

Disa përfaqësues të autoriteteve serbe kanë bërë thirrje për anulimin e mbajtjes së festivalit gjatë këtij vitit, që është paraparë të mbahet nga 27 deri më 29 qershor.

Më 26 qershor, Daçiq deklaroi se festivali paraqet “rrezik të sigurisë”.

Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.

Të ngjashme