Lajme
Organizatat terroriste| Kurti e Sveçla thanë se ishin në koordinim për shpalljen, KFOR-i e mohon
Demokracia
21:08 | 30 Qershor 2023

Share:

Jo vetëm me shtetet e QUINT-it, Qeveria e Kosovës s’u koordinua as me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, kur mori vendim për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, organizata terroriste.

Kjo është konfirmuar nga KFOR për Nacionalen, në pyetjen rreth deklaratave të ministrit Sveçla, i cili deklaroi se “gjithçka ndodhi në koordinim”.

“KFOR-i s’ka qenë i përfshirë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Demantimi

Vendimi i Qeverisë duket të mos jetë marrë në koordinim me aleatët e vendit, ndonëse fjalë të tjera pati ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.” – deklaroi ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.

Fillimisht, Sveçla u demantua nga aleati më i madh i Kosovës, ShBA-ja. Një zëdhënës i DASh-it tha se ky vendim s’u koordinua, por do të duhej të koordinohej me partnerët ndërkombëtarë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.” – tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Gjermania po ashtu, konfirmua se Kosova s’është koordinuar me këtë shtet, duke e përgënjeshtruar më shumë kështu Sveçlën e Kurtin.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht. Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore.” – u tha nga Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Klan Kosovën.

Njëjtë edhe Mbretëria e Bashkuar, deklaruan si vijon: “Nuk jemi konsultuar (nga Kosova) për këtë (vendim).

Vendimi i Kurtit, që u kritikua edhe nga ministri i tij

Qeveria e Kosovës dje ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë u shpreh se këto dy formacione ilegale, paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Por me këtë vendim nuk u pajtua ministri në Qeverinë Kurti për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Ne me këtë veprim nuk japim alternativë bashkimit të institucioneve normale të cilat ne i formojmë dhe udhëheqim, për fat të keq, shpesh herë tregojmë vetëm shkopin.” – tha ai, duke përdorur figurën mes “shkopit” dhe “karotës”.

“Përsëri ata janë bashkëqytetarë tanë, edhe pse të manipuluar, janë qytetarë tanë. Nuk janë fajtorë sepse nuk kanë ndoshta informacione të ndryshme. Dikush e ka periudhën e menaxhimit të gjatë, unë ju tërhjek vërejtjen që kjo qasje e tillë do të na largojë më shumë, nëse ekziston mundësia që të punojmë në atë kontekst, iu kisha lut, edhe do të jem, mendoj që ky vendim në këtë moment, është vendim, do të ishte me lënë pasoja me bashkëqytetarët tanë në veri.” – deklaroi ai.

Të ngjashme