Lajme
Organizata terroriste| Daçiq: Kurti po krijon alibi për çdo serb që synon ta arrestojë
Demokracia
14:34 | 01 Korrik 2023

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, beson se shpallja e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste me vendim të Qeverisë së Kosovës, dëshmon edhe njëherë qëllimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se ai po krijon alibi për çdo serb që synon ta arrestojë.

Ai ka pretenduar se Qeveria e Kosovës ka “një listë prej 350 personash” të cilët po synon t’i arrestojë.

“Duke shpallur organizatat inzekzistente si terroriste, njerëzit e pafajshëm të arrestuar nga policia do të akuzohen për një krim fiktiv të terrorizmit dhe do të mbahen në burg”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin e afërt me pushtetin në Serbië, Kurir.

Shtetet e QUINT-it deklaruan se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur dy këto organizata si terroriste nuk u koordinua paraprakisht me ata, megjithatë sipas kryediplomatit serb, reagimi i perëndimit kundër këtij vendimi është i pa mjaftueshëm.

“Reagimi i disa vendeve perëndimore ka qenë i fortë në momente të caktuara, por vetëm me fjalë dhe se është e qartë se vetëm kërcënimet deklarative me sanksione nuk mund ta zmbrapsin Kurtin”.

I pyetur nga gazetarët se a ka pasur koordinim me KFOR-in, por sidomos me SHBA-të, që Kosova të shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Xhelal Sveçla tha se “patjetër që për këtë hap jemi koordinuar”.

Vetëm pak orë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme Sveçla u përgënjeshtrua nga një komunikim për media e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhej se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thuhej tutje në reagimin e DASH-it.

Veç kësaj, bëhej e qartë se lëvizje të tilla nga Kosova do të duhej të bëheshin në koordinim.

“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha edhe një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Sveçla ndër të tjera theksoi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisës së Kosovës ku edhe u morr vendimi për t’i shpallur dy këto organizata terroriste, se paralajmërimin për një vendim të tillë e kishte dhënë ditë më parë.

“Në konferencën e fundit në Mitrovicë herën e fundit unë kam bërë publike qëndrimin tim se do të kërkoj nga Qeveria që këto organizata të shpallen terroriste, nuk ka këtu kurrë far befasie”, potencoi ai duke shtuar se Kosova në vazhdimësi koordinohet me të gjithë aleatët, por që rezultati përfundimtar i këtij harmonizimi nuk është gjithmonë pozitiv.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me gjithë aleatët tanë, me disa herë pajtohemi herë nuk pajtohemi, por këtë e ka koordinimi, nuk do të thotë që ne duhet të kemi minimumin e konsensusit që të gjitha organizatave me të cilat ne bashkëpunojmë që ne të ndërmarrim një hap, patjetër që për këtë hap ne jemi koordinuar”.

Të ngjashme