Lajme
Orët e fundit të negociatave për Presidentin| Palët me qëndrime të ndryshme për emrin e ri
Demokracia
23:33 | 12 Maj 2022

Share:

Këto janë orët e fundit të negociatave mes palëve politike për të arritur në një emër të përbashkët për Presidentin e ri të Shqipërisë.

Vetëm tre ditë nga afati final për dorëzimin e emrave të propozuar nga palët e përfshira në procesin e përzgjedhjes së Presidentit të ri, grupet parlamentare ndajnë qëndrime të ndryshme mbi profilin e kandidatit për të cilin do të votohet në 16 Maj në raundin e parë në Parlament për postin më të lartë të shtetit.

Negociatat e fundit

Ditën e nesërme që në orët e para të mëngjesit pritet të zhvillohen disa takime mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla do të ketë takime të veçanta fillimisht me kryetarin e republikanëve, Fatmir Mediu ndërsa më pas me Mesila Dodën e PDIU, ku do të diskutohet për presidentin e ri. Sa i përket demokratëve, ende nuk ka një takim të konfirmuar me kreun e grupit Enkelejd Alibeaj ndërsa PS ka deklaruar se nuk do të diskutojë me palën tjetër, dy të përzgjedhurit e Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi për Presidentin e ri.

Qëndrimet e fundit për profilin e Presidentit të ri

Partia Socialiste është e hapur për një figurë të gjithëpranuar, qoftë edhe nga radhët e opozitës, ndërsa ka përjashtuar që ajo të vijë nga kjo forcë politike. Taulant Balla: Dëshira jonë është t’i japim Shqipërisë një president mbi palët. Partia Socialiste prej ditës së parë ishte e qartë në një dëshirë për të mos zgjedhur një President të PS, por të të gjithë shqiptarëve.

Partia Demokratike ka një kusht të vetëm që Presidenti të jetë një figurë antikomuniste. Enkelejd Alibeaj: “Ky vend pas 30 vitesh hipokrizie dhe nëpërkëmbjeje do të duhet së pari të japë një shenjë simbolike që president të kemi një antikomunist”.

Republikanët kërkojnë një deputet të dakordësuar mes palëve opozitare. Fatmir Mediu: “Opozita të ketë një kandidat. Ky duhet të jetë konsensusi i parë që duhet të jetë brenda opozitës: Ne si opozitë duhet të kemi një kandidat të përbashkët”.

Përfaqësuesja e PDIU Mesila Doda kriter ka President politik dhe preferencë, të jetë grua: “Presidenti i ardhshëm duhet të jetë njeri politik. Mund të jetë President që vjen nga opozita. Është rasti që mund të zgjedhim një zonjë. Është momenti për ndryshim.”

Raundi i parë për Presidentin:

Më 16 maj në orën 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri. Më 15 maj ora 16:00 është afati i fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve. Më 16 maj në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave.

Çfarë parashikon Kushtetuta për procesin

Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy të tjerat, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, me 71 vota, shkruan Tiranapost.

Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në qershor do të jetë i zgjedhur. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

Të ngjashme