Lajme
Opozita tregon se a do të marrë pjesë në seancën për referendumin serb
Demokracia
19:58 | 14 Janar 2022

Share:

Kuvendi i Kosovë ka njoftuar se nesër do të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me referendumin serb në Kosovë. PDK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, ndërsa AAK ka konfirmuar do të jetë e pranishme. LDK pritet që të vendosë nesër.

Në një përgjigje për Demokracia.com zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lulzim Blaka tha se kjo parti do të marrë pjesë në seancë.

“Po, AAK do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme”, tha Blaka.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë për Express se vendimi që a do të marrin pjesë në seancë apo jo do të merret nesër.

“Nesër merret vesh qëndrimi i LDK-së, nesër do të mblidhet grupi parlamentar dhe vendosim”, tha Gashi.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri në një konferencë për medie ka thënë se kjo parti nuk merr pjesë nesër në seancën e jashtëzakonshme.

“Edhe pse kemi një qëndrim të Qeverisë, qeveria dhe mazhoranca kanë thirrur një seancë të jashtë zakonshëm nesër. PDK e sheh të panevojshme dhe nuk do të jetë pjesë e seancës. E konsiderojmë të panevojshme dhe përpjekje për shmangie të përgjegjësisë”, tha Tahiri, përcjell Demokracia.com.

Të premten, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, është thënë në deklaratë, përcjell Demokracia.com.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e kanë cilësuar si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit./Demokracia.com/

Të ngjashme