Lajme
Opozita: Shëndetësia, sektori ku dështuan keq Vitia e Kurti
Demokracia
11:12 | 17 Qershor 2024

Share:

Një mori premtimesh Lëvizja Vetëvendosje kishte dhënë sa i përket sferës së shëndetësisë, por asnjëra nga to nuk është se kanë marrë epilog, ose iu është ‘’prerë’’ shiriti.

Aplikimi për anëtarësim në OBSH, funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike, miratimi i Ligjit për sigurimin shëndetësor, rritja numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor si dhe rritja e numrit të qendrave për autizëm dhe sindromën Down, ishin premtimet që kishte dhënë Vetëvendosje, por pak nga to kanë nisur të implementohen e shumë nga to kanë mbetur thjeshtë në sirtarin e shumë premtimeve sikurse edhe premtimet  për fusha të tjera.

Tri vite e gjysmë, e vetmja ngritje që Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të bëjë për qytetarët, është  ajo për ngritjen e çmimit të barnave dhe kjo do të ndodhë me Ligjin për Çmimin e Barnave.

Deri tani Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ligji për sigurime shëndetësore deri tani nuk është funksionalizuar.

Brenda tri vjetësh, në Kosovë është hapur vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor (QSHM) dhe kjo ka ndodhur në Deçan.

Haxhiu për premtimet e VV-së për shëndetësi: Dështim total në shëndetësi, Kurti as ‘qenin topall’ nga QKUK-ja nuk e largoi

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka komentuar premtimet e dhëna nga Vetëvendosje sa i pëket shëndetësisë dhe mos realizimin e tyre as për tri vite e gjysmë qeverisje. Ai thotë se në katër vite legjislative, çdo here Ligji për Sigurim Shëndetësor është futur në agjendë, por asnjëherë nuk është sjellur në Kuvend e nuk është miratuar në Qeveri.

‘’Në katër vite legjislative, çdo herë ligjin për sigurim shëndetësor e ka shti në agjendë e kurrë nuk e kanë sjellë në Kuvend e as në Qeveri nuk i ka miratu’’, thotë ai.

Haxhiu thotë se as rritja e numrit të qendrave për autizëm dhe Sindromën Down nuk ka ndodhur.

‘’Asgjë nuk kanë bërë, as për personat me autizëm, as për qendrat, as nuk kanë bërë rritje të stafit’’, deklaron ai.

Po ashtu Haxhiu deklaron se VV ka premtuar ulje të çmimit të barnave derisa ka vetëm ngritje të tyre.

‘’Kanë premtu ulje të çmimit të barnave e kemi rritje të tyre. Nuk punë veç fjalë e propagandë edhe për rritjen e qëndrave të shëndetit mendor’’, shton ai, shkruan Frontonline.

Për premtimin e VV-së se do të aplikojnë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, deputeti Haxhiu thotë se lëre që nuk ka aplikim, por as nuk mendohet të adresohet.

‘’Jo që ska aplikim për OBSH, por ai është një prej premtimeve që nuk mendohet as me u adresu, e le me u anëtarësu’’ thekson ai.

Për Haxhiun, në shëndetësi me këtë qeveri ka dështim total.

‘’Kanë premtu efikasitet, ne kemi përkeqësim, kemi rritje të listës së pritjeve për operacione, kemi mungesë të barnave esenciale, prej fashave e kanillave, e xhilpërave, dështim total në sektorin e shëndetësisë’’ potencon ai.

Madje deputeti i PDK-së, thotë se Kurti ka premtuar largimin e qenit të famshëm nga QKUK-ja, por as kjo nuk ka ndodhur

‘’Ka premtua me largu qenin nga oborri i QKUK-së, e ai qeni i ka sulmua nja tre mjek aty, as qat qen s’ka mujtë me i largu’’ deklaron ai.

Dreshaj për premtimet e VV-së për shëndësi: Kjo Qeveri do të shkoj në shtëpi pa e realizuar premtimin

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, njëherit anëtar në Komisionin për Shëndetësi, thotë se asnjëra nga premtimet e VV-së nuk janë diskutuar në komisionin ku ai është anëtar

‘’Asnjëra nga këto nuk janë diskutuar në Komisionin për Shëndetësi’’

Sa i  përket premtimit të VV-së, se Kosova do të aplikoj për tu bërë anëtare e OBSH-së, Dreshaj thotë se për këtë ka parakushte dhe duhet të plotësohen kushtet e që më pas të anëtarësohet Kosova dhe të mos bëhet aplikimi pa qenë gati.

‘’Kosova duhet të i përgatis parakushtet për të qenë pjesë e OBSH-së, e mbështesim këtë proces, por duhet ti plotësojmë kushtet, në rrallë të parë politike e pastaj kushtet tjera, ne duhet punojmë në këtë drejtim, e kur të aplikojmë në OBSH të pranohemi e të mos mbesim në gjysmë’’, shprehet ai.

Ndërkaq premtimit për sigurimin shëndetësor, Dreshaj thotë se me gjasë do të mbetët për qeverinë e ardhshme

‘’Sigurimet Shëndetësore është premtuar se do të vije, por që tri vite është zhaguar, por nuk ka ndodhë nivelizimi i pagës e as ardhja me u debatu në grupe profesionale, kështu që kjo qeveri do të shkoj dhe ky ligj do të mbetët për qeverinë e ardhshme’’ deklaron ai.

Dreshaj po ashtu thotë se premtimet e dhëna duhet mbajtur.

‘’Premtimi duhet mbajtur në politikë dhe Qeveria duhet jetë në shërbim të popullit dhe të mos lë obligim për qeverinë që vie’’, përfundon ai.

Hyseni i LDK-së: Qeveria Kurti të vetmin ‘’sukses’’ në shëdetësi e kishte ndalimin e Spitalit të Podujevës

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni, thotë se nuk ka pasur asnjë hap përpara sa i përket aplikimit të Kosovës në OBSH.

‘’Me të thënë të drejtën iu kishim gëzuar çdo suksesi të Qeverisë, sepse benefitet i merr qytetarit, por ne nuk kemi parë reforma në shëndetësi. Duke kaluar aplikimin për OBSH, por duke u nisur nga investimet që nuk ka pasur asnjë hap përpara’’thotë ai.

Hyseni, shprehet se mungesa e investimeve kapitale ka qenë i ulët, përkundër nevojave dhe përkundër ngritjes së buxhetit për shëndetësi.

‘’Niveli i investimeve kapitale ka qenë ekstremisht i ulët, për kundër nevoja që kanë qenë shumë të larta. Në raste të rralla ku ilaqet blihen me të shtrenjta se në treg, sepse ka rritje të çmimet dhe përkundër buxhetit të lartë që është ndarë ka pasur mungesë të realizimit të investimit dhe kjo për faktin se gjithë shiritat janë prerë e që janë kanë donacione, përveç disa renovimeve, por këto nuk janë vetëm’’, deklaron ai.

Ndërkaq sa i përket premtimit të VV-së për Sigurimin Shëndetësor, Hyseni shprehet se as kjo nuk është realizuar.

‘’Ndryshimi më i madh në shëndetësi që ka qenë dashur të bëhet ka qenë informimi shëndetësor, do me thanë se është jo funksional, e pastaj fondi i sigurimeve shëndetësore që nuk është realizu’’, potencon ai.

Hyseni, deklaron se i vetmi vendim që Qeveria Kurti, ka marr ka qenë vendimi për zhbërjen e Spitalit të Podujevës.

‘’Një vendim i madh i kësaj qeverie, përmes ministrit të vetshpallur të shëndetësisë, është kryeministri Kurti që ai as vetë nuk e di çka është, është zhbërja e vendimit për spitalin e Podujevës dhe ai ka kthyer prapa nivelin e shëndetësisë në Kosovë’’, deklaron ai.

Sa i përket premtimit te VV-së për rritjen e numrit të qendrave për autizëm dhe sindromën Down, thotë se as për këtë nuk pas pasur asnjë veprim.

‘’As edhe një veprim s’ka pasur sa i përket rritjes së qendrave për sindromin down’’, deklaron ai.

Hyseni, thotë se Podujeva do të duhej të kishte shërmbim sekondar shëndetësor, por këtë po ia pamundëson Kurti dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

‘’Podujeva si komunat me të mëdha, është e vetmja që s’ka shërbim sekondar. Kurti dhe Bulliqi kanë premtuar se Podujeva do të ketë spitalin e saj, por kjo nuk ndodhi, I ka c’bërë edhe vendimet e tjera, e sot vec një vendim për politiiklinik’’, përfundon Hyseni.

Të ngjashme