Lajme
Opozita sërish sytë nga Kushtetuesja: PDK-ja dhe LDK-ja të gatshme për dërgimin e Fondit Sovran për shqyrtim
Demokracia
13:52 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Opozita nuk e ka ndërmend të ia falë Qeverisë asnjë lëshim në procesin e hartimit të ligjeve.

PDK-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar se ligji i ri i cili pritet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese është ai për Fondin Sovran.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë bërë me dije se nëse ky ligj nuk ndryshon as në leximin e dytë në Kuvend, ai do të dërgohet në Kushtetuese.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ky ligj është mashtrim.

Sipas tij, ky Fond është një strukturë burokratike e pazbatueshme në kuadër të strukturës ekonomike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton projektligjin për Fondin Sovran të propozuar nga Qeveria Kurti duke e vlerësuar si shfaqje të keqqeverisjes dhe mashtrimit të radhës të kësaj qeverie. Në realitet, ky Fond është një strukturë burokratike e pazbatueshme në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë dhe në kuadër të rendit tonë kushtetues. Nëse do të kalojë në Kuvend, ne si Grup Parlamentar i PDK-së do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebok”.

Edhe LDK-ja është shprehur e gatshme për dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Berat Rukiqi, ka bërë me dije se miratimi i këtij fondi krijon një konkurrencë të pabarabartë për sektorin privat.

Qeveria “kapese”, deshtoj ne tentativen per kapjen e tregut (vendimi i djeshem i Gjykates Kushtetuese, qe e shpalli antikushtetues, Ligjin pe Çmimet Tavan), njejte siç ka deshtuar ne tentativen per kapjen e sistemit te drejtesise, permes ligjeve antikushtetuese. Tani e ka rradhen nje ligj, i cili ne emer te krijimi te nje Fondi Sovran, ka per qellim futjen e duarve te Qeverise, ne ekonomine e tregut te lire, perkatesisht ne krijimin e nje konkurrence te pabarabarte per sektorin privat dhe ndermarresit. Ligji eshte ne procedure parlamentare dhe nese kalon verzioni aktual, padyshim ka baze te mjaftueshme, per kontestim ne Gjykaten Kushtetuese, pasi qe cenon themelet baze te Kushtetues, perkatesisht dispozitat qe rregullojne ekonomine e tregut te lire”, ka shkruar Rukiqi në profilin e tij në “Facebook”.

Problemet kryesore të ligjit

Kundër miratimi të këtij ligji është shprehur edhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Në një analizë të tij, Hoti ka treguar në detaje dëmet që mund t`i sjell ky ligj.

Themelimi i Fondit Sovran, sipas tij, do të jetë një hap i madh prapa në ambientin e të bërit biznes.

Ai ka bërë me dije se të gjitha analizat vlerësojnë se një fond i tillë do të dëmtohet konkurrenca e lirë e do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit.

Qeveria i shpall disa kompani private si ‘Kampionë Nacionalë’, në të cilat investon Fondi Sovran. Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizohen drejtpërdrejt konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo qasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror. Ndërmarrjet publike në kuadër Fondit Sovran mund t’i japin hua njëra tjetrës. Kjo politikë ekonomike është reminishencë e komunizmit, ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive”, ka vlerësuar Hoti, duke treguar detaje tjera.

Edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, që nga përgatitja e strategjisë investive të Fondit, përcaktimit të listës së aseteve nën menaxhim të Fondit, certifikimit të “Kampionëve Nacionalë” siç u definuar në pikën 1 më lartë, e deri tek vendimet specifike. Kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private.Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit”, ka vlerësuar deputeti i LDK-së.

Ai ka treguar se Fondit Sovran do t’i transferohen ndërmarrje që aktualisht janë nën menaxhimin e Qeverisë dhe Agjencisë së Privatizimit.

Me këtë rast, ato ndërmarrje i nënshtrohen “ristrukturimit”. Por, problemi qëndron se kjo mazhornacë majtiste që është në pushtet, ristrukturimin e kupton vetëm si ndryshim të Bordit, e jo ndryshim të kapitalit, operacioneve, prodhimit/shërbimit, zinxhirit të vlerës dhe ripozicionimit në treg të ndërmarrjes. Problem në vete është fakti se nëse ndërmarrjet që transferohen në Fond kanë borxhe, atëherë borxhet mbesin tek Qeveria dhe Agjencia e Privatizimit, duke e rritur barrën për shtetin”, është shprehur ai, duke përmendur edhe vërejtjet tjera.

Ndërmarrjet publike ekzistuese funksionojnë në tregje të rregulluara, me përjashtim të Trepçës dhe Telekomit që shesin produktet dhe shërbimet e tyre në tregje konkurrente. Duke qenë të rregulluara, ndërmarrjet publike kanë strukturë dhe nivel të shpenzimeve të përcaktuara nga rregullatorët përkatës, të cilat bazohen në kostot e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Në shumicën e rasteve, çmimi që paguajnë konsumatorët përcaktohet nga rregullatorët përkatës, e jo nga tregu i lirë. Kjo e vë në pikëpyetje idenë e komercializimit klasik të këtyre ndërmarrjeve, dhe, rrjedhimisht, arsyeshmërinë e përfshirjes së tyre në Fond”, ka vlerësuar Hoti.

Në pjesën e dytë të nëntorit, Gjykata Kushtetuese ishte mjaft e zënë me shqyrtimin e kërkesave të opozitës dhe Qeverisë.

Fillimisht, ajo kishte vendosur lidhur me kërkesën e PDK-së për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, ku kishte vendosur njëzëri që ta deklaronte se kjo kërkesë ishte e papranueshme për shqyrtim.

Një ditë më pas, Gjykata Kushtetuese vendosi për rastin e ngritur nga Komuna e Prizrenit, që bëhej fjalë Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Pas shqyrtimit, gjykata rrezoi kërkesën e komunave, duke thënë se ligji në fjalë ishte në përputhje me Kushtetutën.

Ndërsa, pak ditë më vonë Kushtetuesja ka rrezuar në tërësi Ligjin për caktimin e çmimeve tavan. Ky rast në Kushtetuese ishte dërguar nga LDK-ja.

Deri me tani Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar disa ligje, të cilin janë dërguar për shqyrtim nga opozita.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025